Duhanpirësit po përballen me çmime të rritura të paketave. Rritja vjen si rrjedhoje e kalendarit të akcizës për duhanin i cili është miratuar në vitin 2022, dhe parashikonte një skedul 5-vjeçar për ndryshimin e saj progresiv, me qëllim dekurajimin e duhan pirjes në vend.
Janari 2026 është viti i fundit që aplikohet ky kalendar dhe akciza për duhanin rritet mesatarisht 250 lekë për kg, çka reflektohet edhe në çmimin final të shitjes, me rreth 20-30 lekë.
Deri më 31 dhjetor 2025, detyrimi i akcizës për cigaret apo purot që përmbajnë duhan ishte 7500 lekë / 1000 fije cigare, ndërsa nga 1 janari 2026 akciza rritet në 7750 lekë/1000 fije cigare.
Ndërsa në Strategjinë Afatmesme të të Ardhurave 2024-2027 është parashikuar hartimi i një kalendari të ri për rritjen e nivelit të akcizës së duhanit dhe nën produkteve të tij për periudhën 2027 e në vijim.
Në dokument argumentohet se në vendin tonë, për disa mallra të akcizueshme sikurse janë duhanet, nuk aplikohet skema e kombinuar e taksimit që përfshin edhe një tarifë specifike akcize për njësi produkti, por edhe një tarifë me përqindje akcize mbi çmimin e shitjes së produktit.
Hartimi i një kalendari të ri për rritjen e nivelit të akcizës së duhanit dhe nën produkteve të tij për periudhën 2027 e në vijim, ka qëllim përafrimin me nivelin e akcizës që aplikohet në BE duke synuar dhe një unifikim të nivelit te akcizës ndërmjet duhanit dhe nënprodukteve të tij.
Një në katër të rritur në Shqipëri konsumojnë duhan apo e thënë ndryshe 25 për qind e popullsisë madhore, duke i shkaktuar vetes dëme shëndetësore dhe ekonomike. Referuar një studimi të bërë nga organizata e shoqërisë civile DSA (Development Solutions Associates), vendi ynë ka nivel të lartë duhanpirjeje me pothuajse gjysmën e meshkujve apo 42 për qind dhe 7 % në radhët e femrave.
Akciza zë rreth 11% të të ardhurave tatimore vjetore. Rreth 35% e të ardhurave nga akciza sigurohen nga nënproduktet e duhanit./Scan












