Në kuadër të manifestimit tradicional “Flaka e Janarit 2026”, më 11 janar është hapur ekspozita e arteve pamore “Peneli i Flakës 2026” në Galerinë e Qytetit në Gjilan. Një organizim i Komunës së Gjilanit, nën mbështetjen e kryetarit Alban Hyseni, dhe në përkujdesje të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, duke përfshirë një sërë aktivitetesh kulturore.

Në ekspozitë morën pjesë artistë nga treva të ndryshme shqiptare, ndërsa juria profesionale vlerësoi veprat pjesëmarrëse në konkurs. Kuratori i ekspozitës, Sami Shabani, theksoi rëndësinë e manifestimit “Flaka e Janarit” si një aktivitet me vlerë kulturore dhe historike.

Juria, në përbërje Ahmet Ibrahimi, Miradije Shahiqi dhe Ragip Ramadani, ndau çmime për veprat më të mira në kategori të ndryshme artistike.
Çmimi kryesor i edicionit “Peneli i Flakës 2026” iu nda pikturës “Profile Dardane” të artistit Isa Alimusaj, vendim që u shpall nga Shoqata e Arteve Pamore në Gjilan. Vepra fituese do t’i shtohet fondit të Galerisë së Qytetit në Gjilan. Edicioni i 35-të i “Flakës së Janarit” do të zgjasë deri më 31 janar 2026, me aktivitete në artet pamore, skenike, letrare dhe muzikore.















