LinkedIn ka njoftuar largimin nga puna të rreth 875 punonjësve, ose afro 5% të stafit të saj global, në kuadër të një plani të gjerë riorganizimi dhe uljeje kostosh.
Sipas raportimeve të publikuara nga Business Insider dhe Reuters, vendimi është komunikuar përmes një memoje të brendshme të firmosur nga CEO i kompanisë, Daniel Shapero.
Shkurtimet do të prekin disa nga sektorët më të rëndësishëm të kompanisë, përfshirë marketingun, inxhinierinë, menaxhimin e produkteve dhe organizatën globale të biznesit. Punonjësit e prekur pritet të marrin njoftimet individuale menjëherë pas publikimit të memorandumit. Përveç largimeve nga puna, LinkedIn po planifikon edhe masa të tjera kursimi, duke reduktuar shpenzimet për marketing, evente me klientët, bashkëpunime me furnitorë dhe hapësira zyrash që konsiderohen të nënshfrytëzuara.
Kompania në pronësi të Microsoft ka konfirmuar gjithashtu mbylljen e zyrës së saj në Graz të Austrisë, ndërsa situata e punonjësve në rajonin Azi-Paqësor pritet të sqarohet deri më 14 maj.
Në deklaratën e tij, Shapero theksoi se kompania po përpiqet të përshtatet me realitetin e ri ekonomik dhe transformimin e mënyrës së punës.
“Duhet të rishpikim mënyrën si punojmë, me ekipe fleksibël dhe të fokusuar te prioritetet kryesore”, thuhet në mesazhin e CEO-s.
Megjithatë, LinkedIn ka sqaruar se këto masa nuk lidhen drejtpërdrejt me zëvendësimin e vendeve të punës nga Inteligjenca Artificiale, edhe pse debati për ndikimin e AI në industrinë teknologjike vazhdon të intensifikohet.
Sipas të dhënave më të fundit, sektori global i teknologjisë ka regjistruar mbi 103 mijë vende pune të shkurtuara vetëm gjatë vitit 2026, duke iu afruar totalit prej 124 mijë largimesh të raportuara përgjatë gjithë vitit 2025./ Businessmag












