Kur temperaturat rriten, trupi humbet më shumë lëngje përmes djersitjes, ndaj hidratimi bëhet një nga gjërat më të rëndësishme për mirëqenien tonë. Edhe pse uji mbetet mënyra më e mirë për të shuar etjen, natyra na ofron edhe një ndihmë të shkëlqyer përmes frutave të pasura me ujë, të cilat jo vetëm freskojnë, por furnizojnë organizmin edhe me vitamina, minerale dhe antioksidantë.
Shalqiri është pa diskutim simboli i verës. Me rreth 92% përmbajtje uji, ai është një zgjedhje ideale për ditët e nxehta. Përveçse është i lehtë dhe i shijshëm, ai përmban vitamina A, B dhe C, si edhe minerale të rëndësishme si kaliumi dhe magnezi. Një fetë shalqi mund të jetë mezeja perfekte për t’u freskuar pa marrë shumë kalori.
Edhe luleshtrydhet janë një aleate e shkëlqyer e hidratimit. Ato kanë përmbajtje të lartë uji dhe janë të pasura me vitaminë C, fibra dhe antioksidantë që ndihmojnë në mbrojtjen e organizmit. Mund t’i konsumoni të freskëta, t’i shtoni në smoothie ose t’i përzieni në sallata frutash për një vakt të lehtë dhe plot shije.
Kastraveci, edhe pse shpesh konsiderohet perime, është një nga ushqimet më hidratuese, pasi përmban rreth 95% ujë. Ai është i pasur me minerale si kaliumi, magnezi dhe kalciumi, ndërsa ka shumë pak kalori. Është zgjedhja ideale për sallata, sanduiçë ose thjesht si një snack i freskët gjatë ditës.
Në listën e frutave të verës nuk mund të mungojë as pjeshka. Me rreth 90% ujë, ajo është e pasur me vitamina dhe minerale që ndihmojnë tretjen, shëndetin e zemrës dhe mirëmbajtjen e lëkurës. Aroma dhe shija e saj e bëjnë një nga frutat më të preferuara për sezonin.
Po aq freskues është edhe pjepri, i cili përmban rreth 90% ujë dhe një sasi të mirë të vitaminës C, beta-karotenit, kaliumit dhe magnezit. Ai mund të konsumohet i vetëm, në sallata frutash, me kos apo në smoothie, duke ofruar një kombinim të shkëlqyer mes shijes dhe vlerave ushqyese.
Përfshirja e këtyre frutave në menunë e përditshme është një mënyrë e thjeshtë dhe natyrale për të ndihmuar organizmin të përballojë vapën e verës. Së bashku me konsumimin e mjaftueshëm të ujit, ato kontribuojnë në hidratim, freski dhe një ndjesi më të mirë gjatë gjithë ditës.












