SHTIME – Sot, pranë Kullës së Lirisë në Reçak, qyteti i Shtimes do të mirëpresë artdashës, qytetarë dhe mysafirë për të vizituar ekspozitën përmbyllëse të Kolonisë Artistike Ndërkombëtare “William Walker” – Edicioni I, ku do të prezantohen veprat e artistëve pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës.
E zhvilluar nga 29 deri më 31 korrik 2026, kolonia artistike e ka shndërruar Shtimen në një qendër të rëndësishme të artit bashkëkohor, duke mbledhur artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italia, Austria, Gjermania, si dhe nga Presheva, Bujanoci dhe treva të tjera shqiptare.
E ideuar dhe organizuar nga Emine Jetishi, kjo koloni i kushtohet figurës së ambasadorit William Walker, i cili luajti një rol të rëndësishëm në dokumentimin e Masakrës së Reçakut. Përmes artit, aktiviteti përcjell mesazhe paqeje, humanizmi, solidariteti dhe ruajtjeje të kujtesës historike.
Gjatë tri ditëve të kolonisë, artistët kanë realizuar vepra të frymëzuara nga historia, identiteti dhe vlerat universale të paqes. Ekspozita përmbyllëse u ofron vizitorëve mundësinë të njihen nga afër me krijimtarinë e tyre dhe me larminë artistike që sollën pjesëmarrësit nga vende të ndryshme.
Në ceremoninë përmbyllëse pritet të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve, personalitete të jetës kulturore, artistë, artdashës dhe mysafirë të shumtë, duke e bërë këtë një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike dhe kulturore të kësaj vere në Kosovë.
Me edicionin e saj të parë, Kolonia Artistike Ndërkombëtare “William Walker” synon të shndërrohet në një traditë të qëndrueshme kulturore, duke e pozicionuar Shtimen si një pikëtakim të artistëve nga kultura dhe vende të ndryshme, të bashkuar përmes gjuhës universale të artit.












