Zgjatja e sezonit turistik përtej muajve të verës mbetet një nga sfidat kryesore për sektorin e turizmit. Përtej nevojës për të shtuar aktivitetin gjatë muajve të tjerë të vitit, sektori po kërkon edhe një zgjidhje për mbajtjen e punonjësve gjatë periudhës jashtë sezonit.
Kreu i Shoqatës së Hoteleri-Turizmit, Zak Topuzi, bën me dije se është avancuar në diskutimet me qeverinë për subvencionimin e pagave të punonjësve sezonalë. Sipas tij, skema parashikon mbështetje financiare për një periudhë deri në katër muaj, me një nivel page minimal-mesatar.
“Jemi në një fazë të avancuar me qeverinë, falë përpjekjeve të shoqatës dhe angazhimit profesional dhe të ekspertëve tanë, për të subvencionuar pagën e punonjësve sezonalë të turizmit deri në katër muaj me një pagë minimale-mesatare, gjë që e bën pothuajse gjithë rajoni. Është parashikuar në strategjinë e turizmit 2026-2030. Jemi të angazhuar me të dy ministritë, dhe të Financave dhe të Turizmit, për ta finalizuar që këtë vit. Dhe në rast se ne do ta arrijmë këtë gjë, turizmi do të jetë një nga industritë që nuk do të ketë nevojë më për punonjës të huaj, do të rikthehen punonjësit shqiptarë, një pjesë e mirë e tyre që punojnë në turizëm në Greqi, dhe do të kemi një turizëm të qëndrueshëm.”
Skema synon të shmangë largimin e punonjësve pas përfundimit të sezonit dhe të krijojë më shumë stabilitet në tregun e punës.
Sipas përfaqësuesve të sektorit, mbështetja e pagave mund të nxisë rikthimin e një pjese të shqiptarëve që punojnë jashtë vendit, duke ulur njëkohësisht nevojën e bizneseve turistike për të rekrutuar punonjës të huaj.
Subvencionimi i pagave të punonjësve sezonalë është parashikuar në Strategjinë e Turizmit 2026–2030, ndërsa sektori synon që mekanizmi të finalizohet dhe të nisë zbatimin që gjatë këtij viti./Scan












