Bizneset që reklamojnë ulje çmimesh do të duhet të marrin si referencë çmimin më të ulët të aplikuar gjatë të paktën 30 ditëve përpara promocionit. Ky është një nga ndryshimet që parashikon projektligji i ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i cili synon të kufizojë praktikat çorientuese të shitjeve dhe të forcojë kontrollin mbi tregun.
Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK), një institucion i ri që do të ketë përgjegjësinë për mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit dhe mbrojtjen e interesave ekonomike të konsumatorëve.
Ndryshimet synojnë të adresojnë mangësitë në mbrojtjen e konsumatorëve, veçanërisht në drejtim të transparencës së çmimeve, praktikave të padrejta tregtare dhe zbatimit të të drejtave të qytetarëve në marrëdhëniet me bizneset.
Uljet e çmimeve, referenca do të jetë çmimi më i ulët i 30 ditëve
Një ndër dispozitat më të rëndësishme të projektligjit lidhet me mënyrën se si bizneset shpallin uljet e çmimeve.
Sipas nenit 13, çdo njoftim për ulje çmimi duhet të tregojë çmimin pararendës të produktit, i cili përcaktohet si çmimi më i ulët që tregtari ka aplikuar gjatë një periudhe jo më të shkurtër se 30 ditë përpara uljes.
Në praktikë, kjo synon të parandalojë rastet kur një biznes e rrit çmimin e produktit pak përpara një fushate promocionale dhe më pas e paraqet rikthimin në çmimin e mëparshëm si një ofertë të konsiderueshme.
Për shembull, nëse një produkt është shitur me 8 mijë lekë gjatë 30 ditëve të fundit, por çmimi i tij është rritur përkohësisht në 10 mijë lekë, tregtari nuk mund të përdorë çmimin prej 10 mijë lekësh si referencë për të reklamuar uljen. Referenca duhet të jetë çmimi më i ulët i periudhës, në këtë rast 8 mijë lekë.
Ky ndryshim prek veçanërisht tregtinë me pakicë, përfshirë supermarketet, dyqanet e veshjeve, pajisjet elektroshtëpiake dhe shitjet online, ku ofertat promocionale përdoren gjerësisht për të tërhequr konsumatorët.
Projektligji parashikon edhe përjashtime të përcaktuara. Për produktet që prishen ose skadojnë shpejt, çmimi referues do të jetë më i ulëti gjatë periudhës kur ato janë ofruar për shitje menjëherë përpara uljes. Ndërsa për mallrat e hedhura në treg prej më pak se 30 ditësh, do të merret si referencë çmimi më i ulët gjatë periudhës së tregtimit.
Rregulla të veçanta parashikohen edhe për uljet progresive, kur zbritja e çmimit rritet në mënyrë të njëpasnjëshme.
Në relacionin shoqërues, qeveria argumenton se këto dispozita synojnë rritjen e transparencës dhe shmangien e mashtrimeve gjatë fushatave promocionale.
Krijohet Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit
Përveç rregullave të reja për tregtinë, projektligji parashikon riorganizimin e strukturave përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve.
Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit do të jetë një institucion buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen e konsumatorit, me veprimtari në të gjithë territorin e vendit.
Agjencia do të shërbejë si organ përgjegjës dhe pikë e vetme koordinimi për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në treg.
Ndër kompetencat kryesore të saj përfshihen monitorimi i zbatimit të ligjit, hetimi i shkeljeve me iniciativë ose mbi bazën e ankesave, si dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera që kanë përgjegjësi për mbikëqyrjen e tregut.
Agjencia do të ketë gjithashtu kompetenca për të kërkuar dokumente dhe informacione nga subjektet publike dhe private, për të kryer hetime dhe për të ndërmarrë masa administrative ndaj shkeljeve të konstatuara.
Megjithatë, kompetencat e saj nuk do të zëvendësojnë automatikisht ato të autoriteteve të tjera rregullatore, që mbikëqyrin sektorë të veçantë.
Sipas relacionit, ngritja e institucionit synon të adresojë një nga dobësitë kryesore të sistemit aktual, zbatimin joefektiv të legjislacionit dhe mungesën e koordinimit të mjaftueshëm ndërmjet institucioneve. /ekofin.al











