Gjilan, 15 tetor 2026
Galeria e Arteve të Gjilanit mirëpriti ekspozitën “Tetori Rozë – Ngjyrat Shërojnë”, një nismë që ndërthuri krijimtarinë artistike me ndërgjegjësimin shoqëror dhe përkushtimin humanitar.
Ekspozita mblodhi rreth 28 artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Lugina e Preshevës. Përmes veprave të tyre, ata sollën këndvështrime dhe ndjeshmëri të ndryshme, të bashkuara nga një qëllim i përbashkët: të përcillnin mesazhe shprese, force, dashurie dhe solidariteti në mbështetje të gruas.


E ideuar dhe organizuar nga artistja Jalldeze Mustafa, nën kurimin e artistes Anila Hetoja dhe me kontributin e kritikut të artit Prof. Dr. Hajrush Fazliu, kjo nismë e vendosi artin në shërbim të një kauze që prek jetën e shumë grave dhe familjeve.

Një prani e veçantë ishte ajo e të ftuarit special, Maestro Saimir Strati, artistit të mirënjohur dhe 11 herë rekordmen i Guinness. Pjesëmarrja e tij i dha një vlerë të shtuar takimit dhe mesazhit të bashkimit përmes artit.
Ceremonia u moderua nga artistja dhe moderatorja Linda Lupi, ndërsa realizimi i aktivitetit u mbështet nga artistë, pedagogë, studentë, përfaqësues institucionalë dhe dashamirës të artit. Kontributi i tyre i përbashkët e bëri ekspozitën një hapësirë takimi, shkëmbimi dhe sensibilizimi.

Në thelb të “Ngjyrat Shërojnë” qëndron edhe synimi humanitar: përmes shitjes së veprave artistike, të ardhurat synohen t’u dedikohen grave të prekura nga kanceri i gjirit. Kështu, krijimtaria merr edhe një rol të drejtpërdrejtë mbështetës, duke e kthyer ndjeshmërinë artistike në një gjest konkret solidariteti.
Titulli i ekspozitës mbart një domethënie simbolike: ngjyrat si shprehje e emocioneve, si burim kuraje dhe si ftesë për të mos qëndruar indiferentë. Në këtë frymë, arti u bë një gjuhë e përbashkët që afron njerëzit dhe i jep zë kujdesit për jetën.

Mesazhi përmbyllës i ekspozitës përmblodhi frymën e gjithë nismës:
“Përmes artit, ne flasim me një zë, në emër të gruas, shpresës dhe jetës!”
Me mirënjohje për artistët, institucionet dhe të gjithë mbështetësit që kontribuuan në realizimin e këtij aktiviteti.
Jalldeze Mustafa
Ideatore dhe organizatore
Anila Hetoja
Kuratore e ekspozitës















