Ka njerëz që e mbyllin kompjuterin në fund të ditës, por nuk e mbyllin kurrë punën në mendjen e tyre. Kontrollojnë email-et gjatë darkës, mendojnë për projektin e radhës në fundjavë dhe, edhe kur arrijnë një sukses të rëndësishëm, kënaqësia zgjat vetëm pak orë.
Në pamje të parë, kjo mund të duket si ambicie, përkushtim apo disiplinë profesionale. Por psikologët paralajmërojnë se ekziston një kufi i hollë mes të qenit i apasionuar pas punës dhe të qenit i varur prej saj.
Sipas një analize të publikuar nga CNBC Make It, bazuar në përvojën e ekspertes së sjelljes njerëzore Melody Wilding, disa prej profesionistëve më të suksesshëm janë edhe më të rrezikuarit për ta kaluar këtë kufi.
Wilding, e cila ka punuar për 15 vjet me profesionistë dhe drejtues në kompani si Google, Meta, Apple dhe JPMorgan, shpjegon se ajo që fillimisht shpërblehet si përkushtim mund të shndërrohet gradualisht në një nevojë të vazhdueshme për të punuar.
Dhe shifrat tregojnë se fenomeni nuk është aspak i rrallë.
Një analizë shkencore e 53 studimeve vlerëson se rreth 14% e punonjësve mund të përballen me varësinë nga puna, ndërsa një sondazh i kompanisë Monster zbuloi se 76% e punonjësve me kohë të plotë e konsiderojnë veten, të paktën deri diku, të varur nga puna.
Problemi bëhet edhe më i ndërlikuar në një treg pune ku pasiguria, shkurtimet e vendeve të punës dhe kërkesat për produktivitet më të lartë po shtohen. Sipas të dhënave të Microsoft, 80% e fuqisë punëtore globale raportojnë se nuk kanë kohën ose energjinë e mjaftueshme për të përmbushur detyrat, ndërsa 53% e drejtuesve kërkojnë rritje të produktivitetit.
Në këto kushte, të punosh më gjatë mund të duket si mënyra më e sigurt për të mbrojtur karrierën. Por shpesh çmimi paguhet jashtë zyrës.
1. Arrin suksesin, por nuk di ta shijosh
E përfundove një projekt të madh. Fitove një klient të rëndësishëm. More një vlerësim pozitiv nga drejtuesit.
Për disa orë ndihesh mirë. Më pas, mendja kalon automatikisht te pyetja: Çfarë duhet të bëj tani?
Kjo është një nga shenjat më të dukshme se marrëdhënia me punën po bëhet e pashëndetshme.
Në vend që suksesi të krijojë kënaqësi dhe vetëbesim, ai kthehet thjesht në një detyrë të përfunduar që duhet zëvendësuar me një tjetër. Arritjet humbasin vlerën emocionale dhe nevoja për të provuar veten nuk përfundon asnjëherë.
Çfarë rekomandojnë ekspertët?
Mos e kaloni menjëherë suksesin në listën e gjërave të përfunduara.
Ndani pak kohë për të analizuar se çfarë e bëri të mundur atë rezultat. Ndoshta ishte aftësia për të bindur një klient skeptik, për të menaxhuar një ekip apo për të marrë një vendim të vështirë.
Kur identifikoni aftësitë që qëndrojnë pas suksesit, ndërtoni një ndjenjë më të qëndrueshme kompetence dhe zvogëloni nevojën për të kërkuar vazhdimisht konfirmim përmes punës.
2. Një email i keq mund të të prishë gjithë ditën
Një projekt ecën mirë dhe ndihesh plot energji. Një klient ankohet, një drejtues kritikon punën tënde ose një marrëveshje dështon dhe papritur gjithçka duket negative.
Kur gjendja emocionale varet pothuajse tërësisht nga rezultatet profesionale, çdo pengesë në punë përjetohet si një goditje personale.
Kjo gjendje shpesh nuk mbetet brenda zyrës. Stresi shfaqet në marrëdhëniet familjare, në komunikimin me miqtë apo në mënyrën se si reagojmë ndaj situatave të zakonshme.
Wilding sugjeron krijimin e një rituali që ndan ditën profesionale nga jeta personale.
Mund të jetë një shëtitje pas pune, një dush, ndërrimi i veshjeve apo një aktivitet i thjeshtë që i sinjalizon mendjes se dita e punës ka përfunduar.
Ekspertja e përshkruan këtë përmes strategjisë së një çante imagjinare: vendosni shqetësimet e ditës brenda saj dhe lëreni mënjanë deri të nesërmen.
Qëllimi nuk është të injoroni problemet profesionale, por të mos i lejoni ato të kontrollojnë çdo pjesë të jetës.
3. Pushimet të krijojnë ankth në vend që të të qetësojnë
Kjo mund të jetë shenja më paradoksale.
Ke pritur gjatë për pushimet, por sapo largohesh nga puna, fillon të ndihesh në siklet. Kontrollon telefonin, hap email-et dhe mendon nëse kolegët po i menaxhojnë siç duhet detyrat.
Edhe gjatë fundjavës, një pjesë e mendjes vazhdon të kërkojë problemin e radhës për të zgjidhur.
Në raste të tilla, pushimi nuk shihet më si nevojë normale, por si kohë që po humbet.
Ekspertët rekomandojnë një ndryshim praktik: përcaktoni përpara se të nisni punën se çfarë do të thotë mjaftueshëm për atë ditë.
Në vend që objektivi të jetë përfundimi i sa më shumë detyrave, vendosni rezultate konkrete. Për shembull, përfundimi i një prezantimi, zhvillimi i dy takimeve të rëndësishme dhe kthimi i përgjigjeve prioritare.
Kjo krijon një kufi të qartë mes angazhimit produktiv dhe punës së pafundme.
Po aq e rëndësishme është të krijoni arsye të këndshme për t’u shkëputur: një aktivitet sportiv, një drekë me miqtë, një hobi apo kohë të planifikuar me familjen.
Kur ambicia bëhet kurth
Ka një dallim thelbësor mes njerëzve që punojnë shumë sepse e duan atë që bëjnë dhe atyre që ndihen të detyruar të punojnë sepse nuk dinë si të ndalen.
Të parët marrin energji dhe kënaqësi nga puna. Të dytët mund të vazhdojnë të punojnë edhe kur janë të rraskapitur, sepse vetëvlerësimi i tyre është lidhur ngushtë me produktivitetin.
Për sipërmarrësit, menaxherët dhe profesionistët që mbajnë shumë përgjegjësi, ky dallim mund të jetë veçanërisht i vështirë për t’u identifikuar.
Por suksesi afatgjatë nuk matet vetëm me numrin e orëve të punës apo me projektet e realizuara. Ai lidhet edhe me aftësinë për të ruajtur shëndetin, marrëdhëniet dhe interesat personale.
Sepse një karrierë e suksesshme duhet të jetë pjesë e një jete të mirë, jo zëvendësuesja e saj.











