Për vite me radhë, Apple ka qenë një nga kompanitë më skeptike ndaj idesë së një laptopi me ekran të ndjeshëm në prekje. Madje, në të kaluarën, drejtuesit e saj nuk i kanë kursyer as komentet ironike ndaj prodhuesve që po përpiqeshin të bashkonin funksionet e kompjuterëve me ato të tabletëve. Por duket se koha ka ndryshuar edhe qëndrimin e gjigantit amerikan të teknologjisë.
Të mërkurën, Apple prezantoi MacBook Pro-n e parë me ekran të ndjeshëm në prekje, një risi që shënon një kthesë të rëndësishme në historinë e linjës së saj të laptopëve.
Pajisja e re vjen me ekran Pro Display XDR dhe synon t’u ofrojë përdoruesve një mënyrë më fleksibël për të ndërvepruar me kompjuterin.MacBook Pro i ri pritet të dalë në treg më 6 nëntor dhe do të ofrohet në dy versione, me ekrane 14 dhe 16 inç.
Sa i përket performancës, Apple ka zgjedhur çipat e saj më të rinj M5 Pro dhe M5 Max, duke synuar të kombinojë fuqinë e një kompjuteri profesional me lehtësinë e përdorimit përmes prekjes.Por risia vjen edhe me një çmim të konsiderueshëm. Sipas të dhënave të prezantimit, modeli 14-inç do të kushtojë rreth 2,900 dollarë, ndërsa versioni 16-inç do të nisë nga 3,400 dollarë.
Ajo që e bën këtë prezantim edhe më interesant është fakti se Apple dikur kishte një qëndrim krejt tjetër për këtë teknologji. Në vitin 2013, ish-drejtori ekzekutiv i kompanisë, Tim Cook, kishte ironizuar përpjekjet e rivalëve për të bashkuar kompjuterët me tabletët.“Ata po përpiqen t’i kthejnë kompjuterët në tabletë dhe tabletët në kompjuterë.
Kushedi çfarë do të bëjnë tjetër”, ishte shprehur ai në atë kohë.Më shumë se një dekadë më vonë, Apple duket se po provon pikërisht atë që dikur e shihte me skepticizëm. Ky ndryshim tregon se edhe kompanitë më të mëdha teknologjike duhet të përshtaten me pritshmëritë dhe mënyrën e re të përdorimit të pajisjeve.Tashmë mbetet për t’u parë se si do ta presin përdoruesit MacBook Pro-n e ri dhe nëse ekrani me prekje do të bëhet një veçori që do të ndryshojë mënyrën se si përdorim laptopët e Apple, apo do të mbetet thjesht një risi për një kategori të caktuar klientësh.











