Startup-i i Inteligjencës Artificiale Thinking Machines Lab, i themeluar nga ish-drejtoresha teknologjike e OpenAI, Mira Murati, është pranë mbylljes së një raundi të ri financimi prej 5 miliardë dollarësh, që do ta çonte vlerën e kompanisë në 40 miliardë dollarë.
Sipas disa burimeve të njohura me negociatat, të cituara nga Business Insider, raundi pritet të përmbyllet që këtë javë dhe do të udhëhiqet nga fondi i investimeve Accel. Vlerësimi prej 40 miliardë dollarësh është bërë përpara injektimit të kapitalit të ri (pre-money valuation).
Nëse marrëveshja finalizohet, kjo do të ishte një arritje e konsiderueshme për kompaninë, e cila në raundin e saj të parë publik të financimit, vitin e kaluar, u vlerësua në më shumë se 10 miliardë dollarë. Thinking Machines Lab siguroi atëherë 2 miliardë dollarë financim fillestar (seed funding), përpara se të prezantonte produktin e saj të parë.
Raundi i ri do të sinjalizonte më shumë se trefishimin e vlerës së kompanisë brenda një viti, duke treguar se investitorët vijojnë të jenë të gatshëm të angazhojnë shuma të mëdha në laboratorët e inteligjencës artificiale, pavarësisht konkurrencës në rritje për talentet dhe kostove gjithnjë e më të larta të sektorit.
Në nëntor të vitit të kaluar, kompania kishte zhvilluar diskutime për një raund të ri financimi me një vlerësim prej 50 miliardë dollarësh, por negociatat nuk u përmbyllën.
E themeluar nga shqiptarja Mira Murati, Thinking Machines Lab u shfaq në skenën e Inteligjencës Artificiale si një prej startup-eve më të ndjekura të sektorit, kryesisht për shkak të përvojës dhe lidhjeve të ekipit drejtues me OpenAI. Murati ka mbajtur më parë pozicionin e drejtoreshës teknologjike të OpenAI, ndërsa disa prej anëtarëve të tjerë të ekipit kanë kontribuar në zhvillimin dhe trajnimin e versioneve të para të ChatGPT.
Produkti i parë i kompanisë, Tinker, është një sistem që synon ta bëjë më të thjeshtë përshtatjen dhe trajnimin e mëtejshëm të modeleve të mëdha gjuhësore të inteligjencës artificiale (LLM). Të enjten, kompania prezantoi një version të ri të Tinker, duke raportuar përmirësime në aftësitë e modelit për programim.
Megjithatë, zgjerimi i kompanisë po shoqërohet edhe me sfida në ruajtjen e ekipit themelues. Thinking Machines Lab ka humbur disa prej figurave kryesore të saj, përfshirë Barret Zoph, Luke Metz dhe Andrew Tulloch, të cilët janë larguar drejt kompanive rivale, përfshirë Meta-n.
Sipas raportimeve të mëparshme të Business Insider, rreth një e treta e ekipit themelues është larguar nga kompania. Largimet lidhen, ndër të tjera, me ofertat shumë të larta financiare të laboratorëve rivalë të inteligjencës artificiale, si Meta dhe OpenAI, në një treg ku konkurrenca për inxhinierët dhe studiuesit më të mirë është intensifikuar ndjeshëm.
Në shtator, ”The Information” raportoi gjithashtu se Thinking Machines Lab ishte në bisedime për sigurimin e një raundi të ri financimi. Kompania nuk ka komentuar mbi negociatat, ndërsa Accel nuk iu përgjigj kërkesës për koment./Businessmag.al/












