“Rrënjët e Lirisë dhe Identitetit”
Një ngjarje artistike dhe kulturore kushtuar trashëgimisë, lirisë dhe identitetit kombëtar shqiptar.
Në frymën e festave kombëtare të Nëntorit, më 21 nëntor 2026, në Islington Central Library, në Londër, u mbajt ekspozita ndërkombëtare “Roots of Freedom and Identity”, një ngjarje artistike dhe kulturore që solli në vëmendjen e publikut vlerat historike, shpirtërore dhe identitare të kombit shqiptar në një kontekst ndërkombëtar.
Ekspozita bashkoi artistë nga trevat mbarëshqiptare dhe diaspora, duke krijuar një hapësirë të përbashkët për prezantimin e krijimtarisë artistike, shkëmbimin e përvojave dhe kultivimin e dialogut ndërkulturor.
Përmes një larmie teknikash, stilesh dhe formash të shprehjes artistike, veprat e ekspozuara sollën interpretime të veçanta mbi kujtesën historike, trashëgiminë kulturore, lirinë dhe përkatësinë kombëtare, duke afirmuar artin si një gjuhë universale që kapërcen kufijtë gjeografikë, gjuhësorë dhe kulturorë.
Projekti u ideua, u konceptua dhe u organizua nga Instituti – Lidhja Shqiptaro-Evropiane, në bashkëpunim me Successful Mothers, me angazhimin dhe kontributin e Florim Rullani, Merita Isufi, Emine Jetishi dhe Anila Hetoja. Një nismë e përbashkët, e ndërtuar mbi vizionin, bashkëpunimin, përkushtimin dhe synimin për të krijuar mundësi të reja dhe ndikim pozitiv në komunitet. Në themel të kësaj iniciative qëndronte vizioni për krijimin e një platforme gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit artistik mbarëkombëtar dhe promovimin e artit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ngjarja mblodhi së bashku personalitete të jetës politike, akademike, artistike dhe kulturore, përfaqësues të komunitetit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, artdashës dhe të ftuar të nderuar. Ndër të pranishmit ishin politikani i njohur britanik Jeremy Corbyn, Prof. Dr. Aidan Hehir, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Westminsterit, si dhe aktori Sokol Cahani.
Një dimension të veçantë ndërbrezor i dha ngjarjes pjesëmarrja e nxënësve të klasës së gjuhës shqipe “Little Eagles”, nga organizata Light Project Pro International (LPPI). Prania e tyre simbolizoi vazhdimësinë e trashëgimisë sonë kulturore dhe rëndësinë e përcjelljes së gjuhës, kujtesës dhe identitetit kombëtar te brezat e rinj të diasporës shqiptare.
Pjesëmarrja e personaliteteve nga fusha të ndryshme, së bashku me interesin e publikut, i dhanë ekspozitës një dimension më të gjerë kulturor e shoqëror, duke theksuar rolin e artit në ndërtimin e urave të komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe kulturave.

“Roots of Freedom and Identity” përfaqëson një kontribut të çmuar në ndërkombëtarizimin e artit shqiptar, forcimin e lidhjeve ndërmjet artistëve mbarëshqiptarë dhe afirmimin e trashëgimisë sonë kombëtare në skenën ndërkombëtare.
Përtej dimensionit të saj artistik, ekspozita përcolli një mesazh të fuqishëm bashkimi, krenarie dhe përkatësie kombëtare, duke dëshmuar se arti nuk është vetëm një formë e shprehjes krijuese, por edhe një mjet i fuqishëm për ruajtjen e kujtesës kolektive, kultivimin e identitetit dhe ndërtimin e dialogut ndërmjet brezave, popujve dhe kombeve.
Një projekt që i jep zë rrënjëve tona, e afirmon identitetin shqiptar përmes artit dhe e vendos trashëgiminë tonë kombëtare në dialog me botën.















