Mëngjesin e të hënës është bërë e mundur që tregtia globale të marrë frymë sërish kur autoritetet egjiptiane njoftuan zhbllokimin e kanalit të Suezit.
EverGiven, anija gjigante e transportit të mallrave, më në fund pas 6 ditësh bllokimi u drejtua dhe lundroi sërish. Kjo ka bërë të mundur hapjen e rrugës dhe për 320 anije të tjera që ishin bllokuar nga dy anët e kanalit të Suezit, një prej nyjeve më të rëndësishme të tregtisë botërore ku kalojnë rreth 12% e mallrave nga Azia në Europë dhe ShBA.
Dëmi ekonomik që solli bllokimi i anijes EverGiven është prej rreth 9.6 miliardë dollarësh në ditë ose 400 milionë dollarë në orë.
Anija EverGiven, u përplas të martën e kaluar në kanalin e ngushtë që kalon midis Afrikës dhe Gadishullit të Sinait, për shkak të baticave dhe erës së fortë në kanal. /ProBizz.al/