Një pllakë gjigande akulli gati katër herë më e madhe se New York City është shkëputur nga skaji i ngrirë i Antarktidës në detin Weddell, duke u bërë ajsbergu më i madh në botë, sipas Agjencisë Evropiane të Hapësirës.
Ajsbergu i porsalindur, i quajtur A-76 nga shkencëtarët, u pa në imazhet e fundit satelitore të kapura nga misioni Copernicus Sentinel-1, tha agjencia hapësinore në një deklaratë të postuar në faqen e saj të internetit me një foto të shtresës së akullit të stërmadhe, të zgjatur.
Sipërfaqja e saj shtrihet në 4,320 km katrorë dhe ka përmasa 175 km gjatësi me 25 km gjerësi.
Për krahasim: sipërfaqja totale e tokës dhe ujit të qytetit të New York-ut është 1,213 km katrore ndërsa ishulli spanjoll i Mallorca në Mesdhe zë 3,640 km katrore.
Përmasat e mëdha të A-76, që u shkëput nga akulli Ronne i Antarktidës, renditet si ajsbergu më i madh ekzistues në planet, duke tejkaluar A-23A, që është rreth 3,380 km katrorë dhe po noton gjithashtu në detin Weddell.
Një tjetër ajsberg i madh në Antarktik që kishte kërcënuar një ishull të populluar me pinguinë në skajin jugor të Amerikës së Jugut ka humbur shumë nga masa e tij dhe është copëtuar, thanë shkencëtarët më parë këtë vit.
A-76 u zbulua së pari nga Sondazhi Britanik i Antarktikut dhe u konfirmua nga Qendra Kombëtare e Akullit e SH.B.A. me qendër në Maryland duke përdorur imazhe nga Copernicus Sentinel-1, të përbërë nga dy satelitë me orbita polare.
Shkëpuyja periodike e këtyre copave të mëdha është pjesë e një cikli natyror. Por disa rafte akulli përgjatë gadishullit Antarktik i janë nënshtruar shpërbërjes së shpejtë në vitet e fundit, një fenomen që shkencëtarët besojnë se mund të ketë lidhje me ndryshimin e klimës.
Burimi: The Guardian