Në historinë e radhës Probizz.al ka intervistuar Arjeta Pucën, vajza që ka thyer çdo barrierë për të prekur ëndrrën e saj. Sot ndodhet në një fazë mjaft pozitive të biznesit të saj, TIMAK që prodhon automjete të shërbimit të urgjencës. 25 vite larg Shqipërisë i kanë shtuar dashurinë për atdheun duke gjetur mundësitë e mëdha këtu që sipas saj është një vend që premton shumë. Ajo tregon për sfidat në këtë sipërmarrje dhe shumë shpejt makina e parë “Made in Albania” do të jetë një REALITET.
Ju keni një kompani e cila prodhon automjete të shërbimit të urgjencës. Pse kjo zgjedhje, ishte më e lehtë apo e morët si sfidë në fillim?
Nuk e kisha planifikuar që një ditë do të prodhoja ambulanca, por pas dy viteve që hapa kompaninë, fitova një tender për ambulanca dhe isha duke bashkëpunuar me një kompani prodhuese në Turqi. Ata e lanë punën përgjysmë, dhe u detyrova ta përfundoj vetë. Kështu që mësova si projektimi dhe prodhimi i një ambulance bëhet dhe u futa në këtë sektor. Më ka pëlqyer shumë kjo fushë, pasi ndiejmë se prekim ndonjëherë jetët e njerëzve, dhe produktet që bëjmë shpesh herë shpëtojnë jetë.
Si do ta përkufizonit rrugëtimin e kompanisë tuaj gjatë këtyre viteve?
Ka qenë shumë dinamike me shumë ulje-ngritje, dështime dhe histori suksesi. Ka pasur shumë adrenalinë që në shumë raste është dukur e papërballueshme. Por, dy vitet e fundit jemi bërë shumë të njohur si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Dhe aktualisht jemi në një fazë pozitive të zhvillimit të biznesit.
Në intervista të ndryshme vazhdimisht jeni shprehur se kërkoni të kontribuoni për Shqipërinë dhe jeni e lumtur që ndodheni këtu. Çfarë u ka ofruar Shqipëria në të bërit biznes?
Si shumë të tjerë, edhe unë ndiej një dëshirë të thellë për të kontribuar në vendin tim, veçanërisht pasi kam kaluar 25 vjet larg, të mbushur me nostalgji dhe dashuri për atdheun. Shqipëria më ka dhënë një fushë të gjerë veprimi, ku mundësitë janë të mëdha dhe të paprekura, duke më lejuar të ndërtoj diçka të vërtetë dhe të qëndrueshme në një tokë që thërret për inovacion dhe zhvillim.
Cilat mendoni se janë disa nga problematikat që ka tregu shqiptar sot?
Në sektorin tim, një nga sfidat kryesore është mungesa e bizneseve të ngjashme, që rezulton në vështirësi në gjetjen e lëndëve të para të nevojshme për prodhimin në tregun shqiptar. Ky pengesë bëhet akoma më e theksuar kur ndeshemi me paparashikueshmëri gjatë prodhimit, e cila kërkon materiale të veçanta që shpesh herë shkaktojnë vonesa në proces dhe çojnë në rritje të kostove të prodhimit. Gjithashtu, has vështirësi në gjetjen e specialistëve në këtë fushë.
A ke ndjerë paragjykim që je marrë me një profesion ku dominojnë burrat?
Në etapat fillestare të karrierës sime, kur ende nuk isha bërë e njohur në treg, disa klientë ngurronin të trajtonin çështje teknike me mua. Po ashtu, ka pasur raste kur ata kanë shfaqur dyshime mbi faktin që unë jam pronarja e kompanisë. Për fat të keq, një paragjykim i zakonshëm në sektorin e biznesit është prirja për të besuar se një burrë i moshuar dhe me më pak formim akademik mund të jetë më pronar, se sa një grua e re dhe e shkolluar. Kjo ka qenë një sfidë që kam përballur dhe po punoj për ta kapërcyer me profesionalizmin dhe ekspertizën time.
Shumë shpejt do të krijohet edhe kompania që do të prodhojë makina “Made in Albania”. Kur mund ta kemi produktin e parë shqiptar dhe çfarë nevojash do të plotësojë kjo shoqëri aksionere?
Edhe unë pres me shumë entuziazëm këtë projekt. Shpesh, kur ishim jashtë Shqipërisë, bashkë me shoqërinë diskutonim se nëse do të na jepej një mundësi për të bërë diçka për Shqipërinë, çfarë nuk do të bënim. Dhe tani, erdhi momenti që unë, për vendin tim, realisht të mund të bëj ndryshime. Aktualisht jemi në fazat e krijimit të kompanisë; sapo të përfundojmë, besoj se gjithçka do të ecë më shpejt. Produktet “Made in Albania” do të jenë ato që prodhojmë tashmë, si furgonat e transportit, ambulancat, makinat e policisë, ushtrisë etj. Gjithashtu dhe makinën e parë Shqiptare. Me mbështetjen e qeverisë, jam e bindur se kompania do të njohë rritje të shpejtë dhe do të kontribuojë pozitivisht në rritjen ekonomike të Shqipërisë.
Kush janë disa nga partneret e rëndësishëm të kompanisë tuaj?
Ne kemi bashkëpunuar me Bankën Botërore, GIZ, OKB-në, USAID, BERZH, ministritë dhe bashkitë brenda dhe jashtë vendit, përfaqësuesit e ndryshëm të markave të makinave, Magen David Adom të Izraelit, si dhe me klientë privatë nga kontinente të ndryshme.