“Një nga arsyet pse hymë në sektorin HORECA është zhvillimi i turizmit”
Shqipëria është një treg joshës edhe për investitorët e huaj në sektorë të ndryshëm. Një peshë të rëndësishme zënë marrëdhëniet tregtare me Turqinë dhe bashkëpunimi mes dy vendeve. Kenan Sevinç, është një nga sipërmarrësit më të suksesshëm turq që bën biznes në vendin tonë prej më shumë se dhjetë vitesh. Global Distribution sjell për publikun shqiptar një sërë produktesh që gjejnë përdorim të përditshëm. Në një intervistë për Probizz.al, Z. Kenan Sevinç tregon për eksperiencën e tij në të bërit biznes në vendin tonë.
Prej 10 vitesh operoni në tregun shqiptar në fushën e biznesit. A ka qenë hap i duhur për ju prezenca në Shqipëri ?
Në tregun shqiptar kemi hyrë në vitin 2007. Si rezultat i studimeve paraprake që kemi bërë, kemi parë se ka hapësira dhe mundësi të mira për të hyrë në treg. Ne u futëm në treg me markat tona të forta. Mendoj se morëm vendimin e duhur.
Si është pozicionuar sot në treg Global Distribution dhe cila është gama e produkteve që ofron?
Global Distribution shpërndan marka kryesore nga vende të ndryshme. Disa prej tyre janë Patos, Peyman, Biscolata, Karuzo. Përveç kësaj, ne kemi markën Bora Toilet paper, me të cilën ne japim një kontribut të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Ne e kemi arritur ta prodhojme këtë produkt në Shqipëri. Gjithashtu eksportojmë në shumë vende markën tonë Bora. Ne prodhojmë markën tonë Moment Biscuit e cila është një fabrike vendase me emër Anter Biscuits. Ne e eksportojmë këtë produkt në vende të ndryshme. Global Distribution është ndër 10 kompani më të mira të shpërndarjes në Shqipëri. Me një staf më shumë se 100 punonjës, ne i shërbejmë të gjithë Shqipërisë.
Cilat janë ambiciet tuaja të mëtejshme në fushën e të bërit biznes?
Që nga ky vit, kemi bërë një hyrje serioze në sektorin Horeca. Ne vazhdojmë të punojmë për të qenë një shpërndarës i mirë në këtë fushë.
Si e krahasoni Shqipërinë me Kosovën në klimën e biznesit?
Kur krahasojmë Kosovën dhe Shqipërinë, ka dallime serioze. Zakonet e konsumit janë shumë të ndryshme. Në të dy vendet shohim edhe mangësitë edhe favoritet. Megjithatë, mund të them se Shqipëria është zhvilluar me shpejtësi vitet e fundit, e ndikuar me shumë nga turizmi.
Sa ndikim ka zhvillimi i turizmit në Shqipëri edhe në ecurinë e sipërmarrjes tuaj?
Turizmi siç ndikon pozitivisht në çdo sektor, gjithashtu është i ndikueshëm edhe në sektorin tonë. Në veçanti, një nga arsyet pse hymë në sektorin Horeca është zhvillimi i turizmit. Nëse zgjidhet mungesa e personelit të kualifikuar dhe hapen zonat e trajnimit për turizmin, turizmi do të rritet më shumë.
Si duket interesi i sipërmarrësve apo investitorëve turq në Shqipëri?
Kompanitë turke i kanë dhënë gjithmonë prioritet investimit në Shqipëri. Aktualisht, kemi shumë investime serioze turke në sektorë të ndryshëm. Kemi investime të rëndësishme në sektorin bankar, miniera dhe në energjitike. Mendoj se kjo do të rritet edhe më shumë në vitet e ardhshme. Ne e kemi parë gjithmonë Shqipërinë si një vend mik.
Cilët sektorë shihen me prioritet?
Tani ne po tregojmë qe kemi interes serioz për sektorët e turizmit, energjisë, shëndetësisë dhe ndërtimit. Në vitet e ardhshme, do të kemi investimet serioze turke në këto sektorë.