Një surprizë e vërtetë ishte libri më i ri i Kristi Janku. Ndryshe nga librat klasik të gatimit, ky botim është një autobiografi e cila vjen tek amvisat dhe dhe jo vetëm, përmes 50 recetave .
Në një intervistë për Probizz.al, Kristi Janku tregon më shumë nga kuzhina e saj dhe embëlsirat Kikiliciouss.
1. Pse zgjodhët një libër për ëmbëlsira dhe sa kohë mori deri tek botimi?
Njerëzit më njohin për dashurinë e madhe që kam unë për ëmbëlsirat dhe të bukurën, prandaj ishte e natyrshme që libri im i parë të ishte dedikuar embëlsirave.
Koha e prodhimit të librit ishte relativisht e shkurtër, propozimin nga shtëpia botuese “Albas” e mora në Maj dhe pas bisedave etj, kisha vetëm 3 muaj kohë të kopsisja çdo detaj të librit para futjes në prodhim.
2. Çfarë recetash përfshihen në Kikiliciouss dhe risitë që sjell ndryshe nga librat e tjerë të gatimeve?
Tek libri Kikiliciouss do të gjeni 50 receta embëlsirash, shumë të thjeshta dhe lehta që mund t’i përgatisni në shtëpi. Me përbërës lehtësisht të aksesueshëm dhe pa pajisje të komplikuara. Një guidë si të shijoni gatimin e embëlsirave pa frikën që nuk jeni pastiçier.
Ndryshe nga një libër klasik gatimi, në këtë botim unë kam sjellë një autobiografi nëse mund ta them, që secili që mban në duar këtë botim të kuptojë nga buron kjo dashuri dhe si kam arritur deri këtu.
Një nga gjërat që më pelqen dhe shijon më së shumti është të tregoj dhe prapaskena apo rrugëtimin tim nga dita 1 deri më sot. Mendoj që rrugëtimi është më i bukur se vetë finishi. Prandaj në këtë libër ju kam marrë më vete në kuzhinën time dhe së bashku mësojmë të gatuajmë.
3. Ju mendoni se është me e lehtë të realizohet nje recetë kur vjen nga libri sesa nga një video youtube?
Janë dy gjëra të ndryshme, natyrisht videoja ka një tjetër perceptim. POR ndjesia e librit, të shfletuarit dhe të gatuarit me një libër hapur, është një ndjesi që nuk do të dalë kurrë nga moda.
4. Kapitulli i parë i dedikohet fëmijëve. Synoni të orientoni të vegjlit drejt të ushqyerit të shëndetshëm apo janë klientët më të dashur të Kikiliciouss?
Une mendoj që gjithçka fillon nga fëmijët. Kam dashur si nga eksperienca ime dhe motrave me mamin, ashtu dhe nga intervista me dr. Ermira Kola të përcjell se sa e rëndësishme është që fëmijët të prezantohen me aktivitetin e të gatuarit si pjesë e argëtimit të tyre. Njohja me produktet, përbërësit e ndryshëm që në vogëli vërtet ka një impakt rrënjësor.
5. Në të ardhmen , presim një libër të dytë me receta nga Kristi Janku ?
Pse jo, kam shumë për të ndare me publikun tim. Duart më hanë për të shkruar po aq sa për të gatuar, prandaj thjesht po shijoj këtë periudhë dhe pres përshtypjet e lexuesve. Do jetë kjo pershtypje një reflektim mbi botimin e dytë.