Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në takimin e ministrave të Transportit, në Budapest, organizuar nga Qeveria Hungareze, si vendi mbajtës i Presidencës për Bashkimin Europian.
Balluku tha se vlerëson të gjithë mbështetjen financiare të BE që jep përmes projekteve, por sipas saj një projekt merr kohë të gjatë për tu realizuar.
“Ne vlerësojmë maksimalisht të gjithë mbështetjen financiare që Bashkimi Europian po jep përmes projekteve të “ËBIF”, përsa i përket ndërtimit të hekurudhave në rajonin tonë, pjesë e Korridoreve të VIII dhe të X, por nga ana tjetër ajo për të cilën ne shqetësohemi dhe këtu i referohem të gjithë vendeve tona fqinje, është koha e gjatë dhe burokracia që merr një projekt për t’u realizuar”, tha Balluku.
Ministrja u ndal edhe në projektet e përbashkëta siç është Korridori i VIII, apo Korridori i X.
“Kemi folur për një sërë projektesh të përbashkëta, siç është Korridori i VIII, apo Korridori i X, por nga ana tjetër edhe me kolegun Liburn Aliu, me Ministrin e Kosovës, kemi arritur që të diskutojmë për ecurinë e një nga projekteve tona më të rëndësishme kombëtare, atë që do të lidhë Shkodrën me Gjakovën, hekurudhën e re, që do të bëhet më pas pjesë e Korridorit të X, duke i dhënë kështu Shqipërisë dy aksese, në Korridorin e VIII përmes Maqedonisë së Veriut dhe në Korridorin e X përmes Kosovës”, nënvizoi Balluku.
Gjatë takimit është folur edhe për çështje të tjera shumë të rëndësishme për Bashkimin Europian, siç është dekarbonizimi.