Probizz.al: Si bashkëthemelues i Forumit Ekonomik të Diasporës, deri tani a mendoni se ja ka arritur qëllimit të saj kjo lëvizje?
Shpend Bajrami: Forumi Ekonomik i Diasporës (DEF), i themeluar bashkë me Luli Rexhepin dhe Martin Michel, me mbështetjen e Fisnik Salihut dhe Peter Böhnit që nga ditët e para, është rritur ndjeshëm si platformë që lidh ekonominë, inovacionin, kulturën dhe identitetin e diasporës shqiptare.
Qëllimi ynë ka qenë që diaspora të mos shihet vetëm si kapital financiar, por si forcë zhvillimi dhe transformimi shoqëror, përmes investimeve, bashkëpunimeve afatgjata dhe shkëmbimit të njohurive.
Në këtë drejtim, mund të them me bindje se kemi arritur të krijojmë një lëvizje të gjallë e gjithëpërfshirëse, që po unifikon shqiptarët globalisht dhe po i jep diasporës rolin që e meriton në zhvillimin ekonomik të vendeve tona.

Probizz.al: Çfarë projektesh janë finalizuar me sukses nga DEF duke e shndërruar diasporën në një forcë zhvillimi për Shqipërinë dhe jo vetëm?
Shpend Bajrami: Në këto vite kemi realizuar disa iniciativa me ndikim konkret.
Përveç projekteve të investimit dhe partneriteteve në sektorët e teknologjisë, agroturizmit dhe bujqësisë së qëndrueshme, kemi zhvilluar një seri ngjarjesh informuese në Bernë, Prishtinë, Tiranë dhe Vjenë, ku kemi prezantuar konceptin e DEF.
Në secilin prej këtyre eventeve kanë marrë pjesë mbi 100 sipërmarrës, të cilët kanë krijuar lidhje të reja bashkëpunimi, dhe tashmë janë krijuar marrëveshje reale biznesi midis diasporës dhe vendeve të origjinës.
Valë të reja informuese janë duke u përgatitur në Gjermani, Skandinavi dhe Shtetet e Bashkuara, ku synojmë të zgjerojmë më tej rrjetin tonë të bashkëpunimeve ekonomike.
Këto aktivitete po e konsolidojnë DEF si platformë strategjike që bashkon ekspertizën dhe kapitalin e diasporës me nevojat reale të zhvillimit në rajon.

Probizz.al: Keni nisur përgatitjet për organizimin e madh që zhvillohet me 16–17 prill në Zvicër. Çfarë pritet të ndodhë?
Shpend Bajrami: Po, përgatitjet për edicionin e sivjetshëm të Forumit Ekonomik të Diasporës në Zvicër janë drejt finalizimit, dhe pritshmëritë janë të mëdha.
Këtë herë pritet të marrin pjesë mbi 800 përfaqësues nga e gjithë bota – përfshirë sipërmarrës, investitorë dhe figura të njohura nga bota e biznesit, kulturës, sportit, politikës dhe humanitetit.
Në nivel institucional, është në zhvillim përgatitja për një takim të ministrave të ekonomisë nga Gjermania, Zvicra, Austria, Italia, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut, që do të organizohet me mbështetjen e Departamentit të Jashtëm të Zvicrës.
Ky takim do të jetë një mundësi unike për të ndërtuar politika të përbashkëta që mbështesin investimet e diasporës në rajon dhe nxitin bashkëpunimin ekonomik ndërballkanik.
Nga sektori privat, do të marrin pjesë figurat kryesore të biznesit me origjinë shqiptare nga mbarë bota, të cilët do të ndajnë përvojat e tyre dhe do të diskutojnë për projektet e përbashkëta ekonomike.
Ky forum po shndërrohet në pikëtakimin më të rëndësishëm global të diasporës shqiptare, me synimin për të forcuar lidhjet, për të rritur ndikimin ekonomik dhe për të promovuar imazhin pozitiv të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.
Probizz.al:Me çfarë sfidash jeni përballur deri tani për ta kthyer DEF në një platformë që lidh diasporën me Shqipërinë përmes bashkëpunimeve ekonomike në teknologji, turizëm dhe bujqësi, duke ofruar mundësi konkrete investimi dhe mentorimi?
Shpend Bajrami: Sfida jonë më e madhe ka qenë krijimi i një modeli të qëndrueshëm dhe profesional të organizimit, i cili të mos varet nga fondet publike, por të mbështetet në partneritete strategjike dhe sponsorizime afatgjata.
Për këtë arsye kemi zhvilluar një model ekonomik hibrid, që kombinon paketat e sponsorizimit, marrëveshjet e bashkëpunimit dhe sistemin e franchise për forumet e diasporës në vende të ndryshme.
Një tjetër sfidë ka qenë burokracia dhe mungesa e mekanizmave efikas për lehtësimin e investimeve të diasporës, por përmes DEF po krijojmë ura të qëndrueshme bashkëpunimi ndërmjet sektorit publik dhe atij privat.
Sot, DEF është një ekosistem bashkëpunimi global, që promovon rritjen ekonomike, inovacionin dhe identitetin shqiptar në mënyrë moderne dhe të qëndrueshme.


Rreth DEF
Forumi Ekonomik i Diasporës (DEF) është më shumë se një ngjarje vjetore; ai përbën një platformë dinamike dhe interaktive që nxit shkëmbimin, frymëzimin dhe bashkëpunimin mes individëve të biznesit shqipfolës në të gjithë botën. Si një pikë qendrore takimi, ai bashkon komunitetin e biznesit nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe diasporën globale shqipëtare. Këtu paraqiten jo vetëm ide të reja, por gjithashtu krijohen lidhje që formojnë të ardhmen. Formatet inovative të ngjarjeve që inspirojnë dhe lidhin. DEF ofron një fushë të gjerë formatesh inovative dhe moderne që u mundësojnë pjesëmarrësve të ndajnë njohuritë, të ndërtojnë rrjete dhe të avancojnë komunitetin e biznesit shqiptar.
Forumi Ekonomik i Diasporës (DEF)
Kammistrasse 11 CH-3800 Interlaken
+41 33 821 29 25












