Mali Menalos Arkadius në Greqi është vendi i vetëm në botë që ka eksluzivitetin e mjaltit vanilia të bredhit me emërtimin e Mbrojtur nga UNESCO. Ky mjalt është një produkt organik dhe i njohur për shijen e tij dhe vlerat e larta kurative. E pikërisht në majat e këtij mali në fshatin Vytina jeton një familje shqiptare e cila drejton edhe punishten e prodhimit të mjaltit në disa lloje. Probizz.al ndalet në historinë e suksesit të “Bletarisë Tusha” e cila vepron në vendin fqinj dhe prodhon mjaltin e bredhit. Në një intervistë për Probizz.al , pronari i bletarisë Z. Luan Karaj thotë se në këtë biznes angazhohet e gjithë familja dhe aktualisht eksporton në Shqipëri, në Kosovë, Itali, Gjermani dhe Angli.
Kur nisi si biznes Bletaria Tusha ?
Unë biznesin në bletari e kam filluar në vitin 2015, në bashkëpunim me një bletar të vjetër Grek. Ai kishte 700 koshere bletë dhe 45 vite eksperiencë në këtë profesion. Pas dy vitesh unë kam ngritur bletarinë time familjare .
A eksportoni mjaltë në Shqipëri apo në vendet e tjera?
Përveç Greqisë, rreth 70 % e prodhimit të mjaltit shitet në Shqipëri. Por eksportojmë edhe në Kosovë, Itali, Gjermani dhe Angli.
Sa punëtorë keni në biznesin tuaj?
Gjithçka bëhet nga familja dhe marrim punëtore vetëm për transportimin e bletëve dhe vjeljen e mjaltit.
Pse është i veçantë mjalti që përpunoni ju?
Nga Bletaria Tusha nxirren tre lloje mjalti. Mjalt Bredhi që është i vetmi në këtë zonë dhe nuk del në asnjë shtet tjetër të botës. Mjaltin e Pishës dhe mjaltin e Lisit nga zonat jo bujqësore. Në rajonin Vitina të Arkadisë prodhohet mjaltë bredhi me karakteristika të veçanta. Mjalti i bredhit është i vetmi nga të gjitha llojet e mjaltit që nuk kristalizohet. Ai mban përqindjen më të ulët të zaharozës nga të gjithë mjaltët. Mjalti i bredhit përftohet nga një lartësi prej 1200 deri në 1900 metra duke e bërë me efekte të jashtzakonshme kurative për shëndetin. Këtu në Greqi udhëzohet nga mjeku i familjes që të konsumohet edhe për personat diabetikë.
Sa e vështirë është të merresh me këtë biznes?
Nxjerrja e mjaltit është jashtëzakonisht e vështirë dhe e shtrenjtë sepse kërkon shkatërrimin e bletëve. Për këtë arsye prodhimi i tij është shumë i vogël dhe periodik ndër vite. Falë vetive të tij të dobishme dhe lëndëve ushqyese të vlefshme, mjalti është sot një super ushqim me përfitime shumëdimensionale për trupin, imunitetin, lëkurën dhe shëndetin e përgjithshëm.
Sipas Z.Karaj e veçanta e mjaltit të prodhuar në këtë zonë është distanca e respektuar dhe mjedisi tërësisht i pastër ku përftohet mjalti. Distanca ruhet nga vetë autoritetet shtetërore ku në mënyrë periodike çdo vit bëjnë kontrolle për cilësinë dhe pastërtinë dhe më pas marrin kampionë për analizat e përgjithshme, përfshirë edhe ndotjen nga kimikatete që një bletar mund të ketë bërë gjatë kurimit të bletëve.
Bletari Tusha, kontakt: [email protected]
https://www.facebook.com/luanrudina.karaj/
Tel: +30 69 70411527