Ekonomia shqiptare hyn në një fazë të re pasigurie: Banka e Shqipërisë sheh rritje ekonomike, punësim dhe kreditim të fortë, por paralajmëron se zgjatja e goditjes energjetike mund të sjellë më shumë inflacion dhe një ngadalësim më të fortë të ekonomisë.
Banka e Shqipërisë jep një panoramë kontradiktore për ekonominë shqiptare në Raportin Tremujor të Politikës Monetare 2026/II. Nga njëra anë, ekonomia vijon të rritet, papunësia është pranë niveleve më të ulëta historike, kreditimi po zgjerohet me ritme dyshifrore dhe sektori bankar paraqitet likuid e i mirëkapitalizuar. Nga ana tjetër, goditja nga çmimet e naftës dhe lëndëve të para ka ndryshuar profilin e rreziqeve për vitin 2026.
Mesazhi kryesor i Bankës së Shqipërisë është i qartë: sa më gjatë të zgjasë goditja energjetike, aq më i madh është rreziku që inflacioni të rritet dhe ekonomia të ngadalësohet. Në skenarin bazë, ku konflikti në Lindjen e Mesme përfundon shpejt dhe çmimet e naftës normalizohen gradualisht, efektet në Shqipëri pritet të jenë të kufizuara dhe afatshkurtra. Por në një skenar më të rënduar, presionet inflacioniste do të intensifikohen dhe rritja ekonomike do të ngadalësohet më ndjeshëm.
Nafta, pika më e ekspozuar e ekonomisë
Një prej gjetjeve më të rëndësishme të raportit lidhet me varësinë energjetike. Nafta përbën rreth 61% të konsumit total të energjisë në Shqipëri, duke e bërë ekonominë të ndjeshme ndaj luhatjeve të çmimeve ndërkombëtare.
Ekspozimi është veçanërisht i fortë te bizneset. Ato përfaqësojnë rreth 78.3% të konsumit të naftës, ndërsa familjet rreth 21.7%. Sektorët më të ekspozuar janë transporti, industria përpunuese, akomodimi dhe ndërtimi. Në nivel ekonomie, shpenzimet për lëndë djegëse përbëjnë rreth 6.4% të kostove totale.
Goditja nuk ndalet te karburanti. Banka paralajmëron se nafta më e shtrenjtë mund të rrisë kostot e bizneseve, të transmetohet te çmimet e mallrave dhe shërbimeve dhe, njëkohësisht, të dobësojë fuqinë blerëse të konsumatorëve. Pra, efekti është i dyfishtë: më shumë inflacion dhe më pak aktivitet ekonomik.
Inflacioni rikthehet në fokus – qiratë japin goditjen më të fortë
Inflacioni mesatar në tremujorin e parë të vitit 2026 arriti në 2.5%, 0.3 pikë përqindje më shumë se në tremujorin e mëparshëm. Rritja u ndikua nga ushqimet, qiratë dhe më pas nga çmimet e karburanteve.
Por shifra më domethënëse për familjet shqiptare është ajo e qirave.
Inflacioni i qirave arriti në 7.5% në tremujorin e parë, nga 7.1% një tremujor më parë, ndërsa në janar-shkurt preku nivelin rekord prej 7.7%. Vetëm qiratë kontribuuan me rreth 1 pikë përqindje në inflacionin total. Së bashku me ushqimet, ato përbënë rreth 70% të inflacionit total në tremujorin e parë.
Kjo do të thotë se presioni mbi buxhetet familjare nuk vjen vetëm nga karburantet. Strehimi dhe ushqimet mbeten dy prej faktorëve kryesorë që po mbajnë inflacionin shqiptar të lartë. /ekofin.al











