Popullsia e ultra-të pasurve në Evropë është rritur me një të katërtën gjatë pesë viteve të fundit. Mesatarisht, më shumë se 20 persona i bashkohen çdo ditë klubit të pasurisë prej 30+ milionë dollarësh në kontinent, ndërsa në mbarë botën 89 persona e kalojnë këtë prag pasurie çdo ditë.
Inevaliteti i pasurisë në mbarë Evropën dhe brenda vendeve të saj mbetet i theksuar, siç tregohet nga disa tregues. Sipas raportit më të fundit të Bankës Qendrore Evropiane, të publikuar në vitin 2023, pasuria neto mesatare (mediane) e familjeve në eurozonë ishte 123,500 €. Megjithatë, kjo shifër varionte nga vetëm 2,000 € për 20% e shtresës më të varfër të popullsisë, deri në 1.01 milionë € për 20% e shtresës më të pasur.
Në të njëjtën kohë, radhët e ultra-të pasurve po shtohen me shpejtësi në të gjithë kontinentin. Numri i njerëzve me një pasuri prej të paktën 30 milionë dollarësh (25.7 milionë €) u rrit me 26% gjatë pesë viteve të fundit. Raporti i Pasurisë i “Knight Frank” për vitin 2026 i klasifikon ata si individë mit me pasuri jashtëzakonisht të lartë neto (UHNWI).
Numri i tyre u rrit nga 146,525 në vitin 2021, në 183,953 në vitin 2026.
Përgjatë kësaj periudhe pesëvjeçare, 37,428 persona iu bashkuan këtij grupi ekskluziv. Kjo përkthehet në një rritje mesatare prej 7,486 anëtarësh në vit, ose rreth 20.5 anëtarë të rinj çdo ditë në të gjithë Evropën.
Në Gjermani, pesë persona u shtohen ultra-të pasurve çdo ditë
Gjermania ka rritjen më të lartë ditore në Evropë sa i përket numrit të njerëzve që hyjnë në klubin e pasurisë prej 30+ milionë dollarësh. Numri i individëve UHNWI në këtë vend u rrit nga 28,942 në vitin 2021, në 38,215 në vitin 2026 – një shtim prej 9,273 personash në pesë vjet.
Thënë ndryshe, çdo ditë në Gjermani, mesatarisht pesë persona e kalojnë pragun e pasurisë prej 30 milionë dollarësh. Sigurisht, ata nuk e grumbullojnë këtë pasuri brenda një dite të vetme; përkundrazi, asetet e tyre rriten gradualisht derisa kalojnë këtë kufi vlerësimi.
Gjermania, ekonomia më e madhe e Evropës, renditet e treta në nivel global për nga PBB-ja (Prodhimi i Brendshëm Bruto), pas SHBA-së dhe Kinës, sipas FMN-së.
Në Zvicër, numri i individëve ultra të pasur është rritur me ekuivalentin e 2.7 personave në ditë. Gjatë pesë viteve të fundit, numri i tyre u shtua me 4,968, duke e çuar numrin total në 17,692.
Franca shton dy anëtarë të rinj çdo ditë
Ndërmjet viteve 2021 dhe 2026, Franca shtoi mesatarisht 2.1 anëtarë të rinj çdo ditë në klubin e saj të pasurisë prej 30+ milionë dollarësh. Popullsia UHNWI e vendit u rrit me 3,781 persona, duke arritur në 21,518.
Ekonomitë e tjera të mëdha evropiane e ndjekin nga pas me një distancë të vogël. Rritja ditore është:
1.6 persona si në Mbretërinë e Bashkuar ashtu edhe në Itali;
1.5 persona në Spanjë;
1.1 persona në Turqi.
Nga këto shtatë vende, pesë bëjnë pjesë në ekonomitë më të mëdha të Evropës. Zvicra dhe Turqia janë të vetmet vende të tjera në rajon ku numri i njerëzve me të paktën 30 milionë dollarë pasuri rritet mesatarisht me të paktën një person në ditë.
Sa i përket vendeve të tjera, rritja ditore është 0.9 në Poloni, 0.5 si në Çeki ashtu edhe në Austri, 0.4 në Danimarkë dhe Portugali, dhe 0.3 në Holandë, Irlandë dhe Suedi.
Çdo 90 minuta, një person u shtohet ultra-të pasurve në SHBA
Shtetet e Bashkuara janë shtëpia e numrit absolutisht më të madh të njerëzve me të paktën 30 milionë dollarë pasuri, me 251,352 UHNWI në vitin 2026. Kina renditet e dyta me 121,677.
Në SHBA, mesatarisht 36.7 persona i bashkohen çdo ditë klubit të pasurisë prej 30+ milionë dollarësh — afërsisht një anëtar i ri çdo 90 minuta.
Kina shton rreth 12.5 anëtarë të rinj në ditë. Gjermania renditet e treta në nivel botëror, ndërsa India (4.2) dhe Australia (2.2) janë të vetmet vende jo-evropiane në dhjetëshen e parë globale.
Në mbarë botën, numri i UHNWI-ve u rrit me 162,191 ndërmjet viteve 2021 dhe 2026, çka është e barabartë me 89 anëtarë të rinj çdo ditë. Kjo e çoi totalin global në 713,626.
“Ne po dëshmojmë një nga ndryshimet më të rëndësishme në shpërndarjen globale të pasurisë në historinë moderne,” tha Liam Bailey, drejtuesi global i kërkimit në ‘Knight Frank’. “SHBA mbetet motori dominues, bur ne po shohim gjithashtu një rritje të fuqisë nga India dhe një sërë ekonomish që po maturohen me shpejtësi, të cilat tani po formësojnë peizazhin global.”
Që nga viti 2026, Gjermania mban vendin e parë në Evropë për numrin më të madh të individëve me pasuri jashtëzakonisht të lartë neto (38,215), e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar (27,876) dhe Franca (21,518).
Pasuria mesatare për një të rritur gjithashtu varionte gjerësisht në të gjithë kontinentin, sipas ‘UBS Global Wealth Report 2025’. Në vitin 2024, ajo regjistronte vlerën më të ulët prej 29,923 € në Turqi dhe atë më të lartë prej 634,584 € në Zvicër, marrë në analizë përgjatë 31 vendeve evropiane./Businessmag











