Emigrimi në Francë në vitin 2001 e përfshiu shqiptarin Enris Qinamin në botën e mrekullueshme të parfumerisë dhe e nxiti të eksploronte gamën e aromave. Në këtë pasion të ri e ndihmoi muzika e cila e frymëzoi duke i dhënë energjinë e duhur për të krijuar brand-in e parfumeve te tij. Linja e produkteve me bazë vajore, por edhe alkoolike me esenca natyrale është lançuar në Francë, Marok, Turqi, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut.
Në një intervistë për Probizz.al, Enris Qinami thotë se brand-i ka patur një feedback të mirë pasi kujdeset vetë për cilësinë e produkteve bazë dhe së shpejti do të prezantohet në shumë vitrina të shteteve europiane dhe jo vetëm.
Prej shumë vitesh jetoni në Francë dhe i jeni përkushtuar muzikës, por tani prezantoni me një brand të ri parfumi?
Muzika është art, por gjithashtu edhe parfumerie është art. Falë muzikës krijohen tinguj dhe falë parfumit përftohen aroma. Në të dyja rastet ka vibrim, dhe ky vibracion është energji.
Muzikorja dëgjohet me vesh ndërsa aromat me nuhatje.
Përveç kësaj gjuha e muzikës dhe ajo e parfumit kanë të njëjtën terminologji. Notat e muzikës quhen nota parfumi (aromat), dhe kur ata janë në harmoni themi “akord” parfumi. Instrumenti me të cilën punohen vajrat esencialë të domosdoshëm për krijimin e parfumeve quhet “organo”!
Pra ngjashmëritë janë të shumta…
Kur nisët të krijoni parfumet ?
Kam nisur qysh fëmijë, kur mblidhja lulet dhe i thaja për ti ruajtur. Kam pasur fatin që në bahcën tonë tironse kur jam lindur dhe rritur kishim pafund lule erëmira : trëndafil, borzilok, jargavan … por dhe pemë erëmirë, hurma, fiq, rrush…pra jam rritur me aroma natyrale mesdhetare.
Me shkuarjen në Francë në vitin 2001 rashë në kontakt me parfumin francez dhe pata fatin të njihem me parfumues dhe të ndjek zhvillimet e mrekullueshme të botës së parfumerisë në Francë.
Me kalimin e viteve fillova të udhëtoj në Marok dhe Tunizi ku mësova shumë edhe për parfumet e tyre të mrekullueshme. Në Marrakech në Marok kam takur parfumuesin më të njohur atje dhe kam mësuar prej tij dhe madje e kam ftuar edhe për një udhëtim botanik në Shqipëri më pas.
Kam mësuar shumë edhe në Stamboll në parfumerinë më të famshme atje e quajtur Parfumane në Brand Bazar.
Prej gati një viti kam krijuar linjën time të parfumeve me bazë vajore, por edhe alkolike me esenca natyrale dhe e kam prezantuar në disa vende të ndryshme (Francë, Marok, Turqi, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut).
A ndjetë pasiguri për mënyrën si do pritej një produkt shqiptar në një vend të huaj?
Sigurisht që kisha pasiguri në fillim, por me kalimin e kohës i tejkalova dhe krijova besimin e duhur dhe të nevojshēm. Në Paris kam mësuar shumë kur kam marrë pjesë në panairet e produkteve natyrale dhe cilësia e parfumeve është mirëpritur. Në Stamboll kam bërë ëorkshope ku kam mësuar si të krijosh një parfum vajor dhe ka qenë eksperiencë shumë e bukur.
Çfarë lidhje ka mes muzikës dhe parfumeve apo janë dy pasione totalisht të ndryshme?
Janë shumë më të ngjashme nga çfarë mund të imagjinohet…
Cilat janë elementët që e diferencojnë një parfum nga brand-et e tjera?
Cilësia e produkteve bazë të cilën në pjesën më të madhe të rasteve e marr vetë si p.sh. trëndafili në Marok e Turqi, Jasemini në Tunizi etj.
Gjithashtu është edhe koncepti im me moton: Eleganca franceze në një bahcë mesdhetare me aroma “Orienti”.
A po synoni që në të ardhmen produktet tuaja të shfaqen edhe në vitrinat e vendeve të tjera të Europës dhe jo vetëm?
Po e kam synim që shumë shpejt shpresoj ta realizoj….