Një shqiptar në mesin e 100 doktorëve më të mirë në botë. Erind Kalemaj nga Vlora me këtë çmim jo vetëm “vulosi” sukseset e arritura deri me tani në Stomatologji, por përfaqësoi me dinjitet edhe vendin e tij. Në një intervistë eskluzive për Probizz.al, Kalemaj tregon se bashkë me investimin ndër vite në arsimim, kontribut shkencor, eksperiencë ndërkombëtare, besimi krijohet duke ofruar edhe cilësi e standarde të larta në trajtimin e pacientëve.

Qëkur u renditët në 100 mjekët më të mirë në botë, çfarë mendoni se ndikoi që të merrni këtë vlerësim?
Ky vlerësim nuk ka të bëjë vetëm me aftësitë profesionale, ai pasqyron vite disipline, përvojë ndërkombëtare dhe një mendësi të fokusuar në evolucion të vazhdueshëm. Unë besoj se ajo që më dalloi ishte bashkimi i precizitetit, empatisë dhe një perspektive globale. Unë kurrë nuk synova të isha në qendër të vëmendjes, unë synova të kisha një ndikim. Renditja ishte thjeshtë një pasqyrim i kësaj.

Sipas jush, cilat kritere duhet të përmbushë një dentist për t’u konsideruar Profesionist?
Një profesionist i vërtetë nuk përcaktohet vetëm nga diplomat ose titujt, është dikush që kombinon aftësitë me etikën, qëndron i përditësuar me shkencën, komunikon me transparencë dhe e vë pacientin në radhë të parë. Profesionalizmi nuk është një tipar, është një zgjedhje e përditshme për të vepruar me integritet dhe përsosmëri.

Sa mundësi ofron Shqipëria për t’u rritur në fushën e stomatologjisë?
Shqipëria ka bërë hapa të mëdhenj. Me mentalitetin e duhur, mundësitë janë reale -veçanërisht nëse profesionistët e rinj kombinojnë praktikën lokale me ekspozimin ndërkombëtar. Rritja është e mundur, por kërkon vizion, sakrificë dhe guximin për të ngritur standardin.
A i përmbushin klinikat dentare në vend standardet e nevojshme për të pasur një turizëm dentar të suksesshëm?
Absolutisht, shumë klinika tani përmbushin standardet evropiane si në teknologji ashtu edhe në ekspertizë. Ajo që na duhet është dukshmëri më e madhe, disiplinim më i rreptë i këtij tregu dhe ndërtimi i besimit me pacientët ndërkombëtarë. Themeli është aty, tani është koha për të ngritur markën e stomatologjisë shqiptare.
A janë shqiptarët të vetëdijshëm për kujdesin dentar?
Ndërgjegjësimi po rritet, veçanërisht tek brezi i ri. Por ne ende përballemi me boshllëqe, kryesisht në parandalimin dhe ndërhyrjen e hershme. Si profesionistë, është detyra jonë jo vetëm të trajtojmë, por edhe të edukojmë. Një buzëqeshje e shëndetshme fillon me njohuri, jo vetëm me trajtim.



Rreth Erind Kalemaj
Dr. Erind Kalemaj është kirurg implantolog, i trajnuar ndërkombëtarisht dhe i renditur ndër 100 mjekët më të mirë në botë në vitin 2025.
Ai përfundoi studimet e tij në Kirurgji Orale dhe Implantologji në Itali, me trajnim klinik dhe specializim në institucione prestigjioze si Universiteti i Cambridge në Angli, korpusi i Barit, Universiteti i Ferrarës. Ai e pasuroi më tej profilin e tij akademik me arsim të avancuar dhe trajnim udhëheqës në Kolegjin Churchill, Universitetin e Kembrixhit.
Me mbi 10 vjet përvojë klinike ndërkombëtare Dr. Kalemaj jetëzoi 2 klinikat perkatësisht në Vlorë & Tiranë të themeluara nga i ati po ashtu doktor i mirënjohur në qytetin e Vlorës, për të vazhduar më tej me planin ambicioz të një bashkëpunimi të frytshëm pranë Spitalit Ndërkombëtar Turk Medinstanbul (në bllok), ku udhëheq një ekip multidisiplinar . Fokusi i tij përfshin implantologjinë e avancuar, implantet zigomatike, pterigoidale, nasale, subperiostale, transplantet autologe, stomatologjinë dixhitale, trajtim lezionesh inde te buta & inde te forta etj.
I rrjedhshëm në disa gjuhë dhe thellësisht i përkushtuar ndaj edukimit të vazhdueshëm, Dr. Kalemaj njihet për kombinimin e përsosmërisë teknike me kujdesin e përqendruar te pacienti, duke u shërbyer pacientëve vendas dhe ndërkombëtarë përmes praktikës dentare moderne, etike dhe me standarde të larta.
Kontakt :












