Për 15 vjet, Ardian Hoxha ka ndërtuar, investuar dhe drejtuar kompani në arsim, ushqim, teknologji dhe sektorë të tjerë. Por historia e tij nuk është thjesht ajo e një sipërmarrësi të suksesshëm. Është historia e një transformimi të thellë në mënyrën se si një themelues e kupton lidershipin, vendimmarrjen dhe, mbi të gjitha, rolin e tij brenda kompanisë.
Nga bindja se “lideri duhet të jetë personi më i zoti në dhomë”, te kuptimi se ky është një nga modelet më të brishta të drejtimit; nga menaxhimi i njerëzve te ndërtimi i strukturave ku njerëzit e mirë mund të marrin vendime edhe pa praninë e themeluesit; nga besimi se shpejtësia është gjithmonë avantazh, te disiplina e kapitalit, drejtimit dhe likuiditetit.
Në këtë intervistë, Ardian Hoxha flet hapur për gabimet që ka lënë pas dhe mësimet që ka nxjerrë prej tyre; për kuadrin që përdor për të marrë vendime në kushte pasigurie; për atë që kërkon te një themelues dhe një ide kur investon; si dhe për tranzicionin e vështirë nga të qenit themeluesi që kontrollon çdo detaj, te drejtuesi i një organizate me qindra njerëz.
Ai ndan gjithashtu këndvështrimin e tij mbi sektorët ku do të investonte sot, fushat që mund të shndërrohen në shtylla të reja të ekonomisë së Shqipërisë dhe Kosovës, përgjegjësinë që sipërmarrësi ka përtej bilancit financiar dhe dëshirën për të ndërtuar diçka që mund të zgjasë përtej një brezi.
Sepse për Ardian Hoxhën, suksesi nuk matet më me numrin e problemeve që zgjidh vetë themeluesi. Matet me aftësinë e sistemit për t’i zgjidhur ato edhe kur ai nuk është në dhomë.
Një bisedë e drejtpërdrejtë me një nga sipërmarrësit dhe investitorët më të mëdhenj të rajonit mbi lidershipin, kapitalin, gabimet, ndërtimin e ekipeve dhe ambicien për të krijuar kompani globale.
Ke ndërtuar biznese, ke investuar dhe ke kaluar nëpër etapa të ndryshme si sipërmarrës. Si ka ndryshuar Ardiani si lider gjatë këtij rrugëtimi? Çfarë besoje për lidershipin 15 vite më parë që sot nuk e beson më?
Para 15 vitesh besoja se lideri duhet të jetë personi më i zoti në dhomë. Sot e di se ky është modeli më i shtrenjtë dhe më i brishtë i lidershipit që ekziston.
Kur ti je zgjidhja e çdo problemi, kompania jote nuk vlen asgjë pa ty. Kjo nuk është forcë. Kjo është varësi e maskuar si kompetencë. Një biznes ku themeluesi merr çdo vendim është një biznes që nuk mund të shitet, nuk mund të rritet (scale) dhe nuk mund të mbijetojë një muaj pa telefonin e tij. /Businessmag












