Sot, në datën 23 mars 2022, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.
Diskutimet e Këshillit u përqendruan në ndikimin që do të ketë në ekonominë shqiptare sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës. Sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues. Ky realitet dikton rishikimin e projeksioneve tona të mëparshme dhe rivlerësimin e përshtatshmërisë së qëndrimit të politikës monetare.
Tensioni gjeopolitik do të japë një goditje të dyfishtë – direkte nga kahu i ofertës dhe indirekte nga kahu i kërkesës – mbi ekonominë shqiptare. Megjithatë, bazuar në analizat dhe projeksionet aktuale, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim. Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në supozimin e mos-përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, si dhe atë të vijimit të një miksi stimulues politikash monetare e fiskale. Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se inflacioni do të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim.
Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të përshtatë nivelin e stimulit monetar në ekonomi. Kjo përshtatje synon të krijojë kushte e nevojshme monetare për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.
Në vijim, më lejoni të sqaroj më në detaje konkluzionet kryesore të Raportit, pritjet tona për të ardhmen, si dhe arsyet që motivuan vendimin e sotëm.
***
Informacioni i ri i disponuar sugjeron se ekonomia botërore po përballet dhe do të vijojë të përballet me çmime të larta të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë. Këto goditje do të transmetohen edhe në Shqipëri.
Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të Instat-it, ky inflacion regjistroi nivelet 3.7% dhe 3.9%, respektivisht në muajt janar dhe shkurt. Ndonëse të dhënat e plota zyrtare mungojnë, informacioni i disponuar tregon një rritje të mëtejshme të çmimeve në muajin mars.
Ecuria e inflacionit në Shqipëri është ndikuar nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, të naftës, dhe të kostove të prodhimit e të transportit. Në terma makroekonomikë, trendi rritës i inflacionit pasqyron rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të kërkesës, rritjen e pagave dhe të punësimit, si dhe rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy tremujorëve të fundit. Këto të fundit kanë qenë të larta gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar dhe janë vënë nën presion të shtuar nga tensioni gjeopolitik që shoqëron konfliktin në Ukrainë.
Ecuria e mëtejshme e çmimeve do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend.
Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Për rrjedhojë, projeksionet globale të inflacionit për dy vitet në vijim janë riparë për lart, ndërsa projeksionet e rritjes ekonomike janë riparë për poshtë. Po ashtu, pjesa më e madhe e bankave qendrore kanë përshpejtuar planet e tyre të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare.
Përkundrejt kësaj situate, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të qarta rimëkëmbjeje. Informacioni i disponuar tregon se aktiviteti ekonomik ka tejkaluar nivelin e regjistruar përpara tërmetit e pandemisë në tremujorin e parë të vitit të shkuar. Po ashtu, ky informacion sugjeron se momenti pozitiv i rritjes është mbartur dhe në dy muajt e parë të vitit aktual.
Rritja ekonomike ka pasur një bazë të gjerë. Ajo pasqyron zgjerimin e thuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe përbërësve të kërkesës agregate. Në terma makroekonomikë, ajo është ushqyer nga përmirësimi i besimit, nga rritja e kërkesës së huaj, nga ambienti i favorshëm monetar dhe financiar, si dhe nga stimuli fiskal i dy viteve të fundit.
Politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka gjeneruar tregje financiare të stabilizuara, norma të ulëta interesi dhe kushte të favorshme financimi. Kredia për sektorin privat u rrit me 11.8% në muajin shkurt, duke ilustruar një mbështetje në rritje me fonde, të konsumit dhe investimeve. Trendi rritës i kreditimit është ndikuar si nga rritja e kërkesës së biznesit dhe të familjeve, ashtu dhe nga politikat e favorshme të kreditimit të aplikuara nga sektori bankar. Ky sektor vijon të karakterizohet nga bilance likuide e të shëndetshme dhe rënie e kredive me probleme.
Vlerësimet tona sugjerojnë se kërkesa agregate po gjeneron një shfrytëzim thuajse të plotë të kapitalit dhe të punës. Rritja ekonomike është pasqyruar në rritje graduale të punësimit dhe përshpejtim të ritmit të rritjes së pagave. Në veçanti, të dhënat e Instat-it tregojnë se punësimi u rrit me 2.1% në terma vjetorë gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, ndërsa paga në sektorin privat u rrit me 10.2%. Norma e lartë e rritjes së pagave sugjeron se tregu i punës karakterizohet nga hapësira të pakta të pashfrytëzuara.
***
Përditësimi i parashikimeve afatmesme tregon se ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e goditjes. Rritja e çmimeve në tregjet botërore dhe reduktimi i kërkesës së huaj, do të shoqërohen me norma më të larta inflacioni dhe rritje më të ngadaltë ekonomike krahasuar me vlerësimet tona të mëparshme.
Megjithatë, vlerësimet e skenarit bazë sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe në afatin e mesëm. Po ashtu, projeksionet tona tregojnë se rritja ekonomike do të mbetet në territor pozitiv edhe në rast se goditja rezulton më e fortë se vlerësimet aktuale.
Nga ana tjetër, goditjet e ofertës dhe qëndrueshmëria e kërkesës së brendshme pritet të pasqyrohen në norma më të larta inflacioni. Sipas skenarit bazë të parashikimeve, inflacioni do të luhatet rreth nivelit 5-6% për pjesën e mbetur të vitit 2022. Më tej, me qetësimin e pritur të tregjeve ndërkombëtare, inflacioni pritet të vijë në rënie gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv në tremujorin e fundit të tij.
***
Në konsistencë me parashikimet e mësipërme dhe komunikimet e tij të mëparshme, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e vlerësoi të nevojshëm përshtatjen e qëndrimit të politikës monetare me kushtet e reja ekonomike.
Politika jonë monetare ka qenë në pozita tejet stimuluese gjatë dy viteve të fundit. Ajo ka synuar nxitjen e kërkesës agregate gjatë pandemisë, si një parakusht për respektimin e objektivit tonë të inflacionit. Kjo politikë ka rezultuar e suksesshme në misionin e saj.
Megjithatë, goditja aktuale e ofertës dhe fortësia e kërkesës agregate, rrezikojnë të cenojnë objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.
Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:
- rritjen me 0.5 pikë përqindje të normës bazë së interesit, nga niveli 0.5% në nivelin 1.0%.
- mbajtjen e normës së interesit të depozitës njëditore, në nivelin aktual prej 0.1%;
- rritjen e normës së interesit të kredisë njëditore, nga niveli 0.9% në nivelin 1.9%.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se – edhe pas kësaj lëvizjeje – qëndrimi i politikës monetare vijon të jetë stimulues për rritjen e ekonomisë, të punësimit dhe të pagave. Në realitetin e ri, ky qëndrim ofron një balancë më të mirë midis rrezikut të përshpejtimit të inflacionit dhe rrezikut të dëmtimit të rimëkëmbjes ekonomike.
Duke gjykuar mbi informacionin aktual, normalizimi i qëndrimit të politikës monetare do të jetë një proces gradual dhe i mbështetur në informacionin e ri.
Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës vëren se balanca e rreziqeve mbi inflacionin mbetet në kahun e sipërm. Për këtë arsye, ai do të monitorojë në vazhdimësi reagimin e ekonomisë shqiptare ndaj kësaj goditjeje dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për respektimin e objektivit të stabilitetit të çmimeve në afatin e mesëm.
Burimi: Banka e Shqiperise