Shumë njerëz që duan të humbin peshë apo të mbajnë nën kontroll nivelin e sheqerit në gjak, shpesh i shohin frutat me dyshim. Arsyeja është e thjeshtë: ato përmbajnë sheqerna natyralë. Por kjo nuk do të thotë se duhet t’i largojmë nga menuja.
Ekspertët e ushqyerjes theksojnë se frutat e plota janë pjesë e një diete të shëndetshme. Ndryshe nga ushqimet dhe pijet e përpunuara me sheqer të shtuar, frutat sjellin edhe fibra, vitamina, minerale dhe antioksidantë. Fibrat ndihmojnë që sheqernat të përthithen më ngadalë dhe mund të kontribuojnë në një kontroll më të mirë të glukozës në gjak.
Për ata që duan të jenë më të kujdesshëm me sasinë e sheqerit që konsumojnë, disa fruta mund të jenë zgjedhje të mira. Në këtë grup përfshihen manaferrat, kivi dhe kajsitë, të cilat ofrojnë vlera të rëndësishme ushqyese dhe kanë përmbajtje relativisht të ulët sheqeri.
Në listën e zgjedhjeve të përshtatshme mund të përfshihen edhe ananasi i freskët, shalqiri, qershitë, grejpfruti dhe papaja, gjithmonë duke i konsumuar në sasi të moderuara.
Një tjetër detaj i rëndësishëm është mënyra se si i konsumojmë. Një frut i plotë është përgjithësisht zgjedhje më e mirë se lëngu i frutave, pasi përmban fibrat dhe të ngop më gjatë. Ndërsa një gotë lëng mund të pihet shumë shpejt, për të ngrënë një frut të plotë nevojitet më shumë kohë dhe përtypje.
Prandaj, në vend që t’i shmangni frutat nga frika e sheqerit, më e rëndësishme është të zgjidhni sasinë dhe mënyrën e konsumimit. Të shoqëruara me një ushqyerje të balancuar dhe aktivitet fizik, frutat mund të jenë pjesë e një menuje të shëndetshme të përditshme.










