Ministrja e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarjes, Edona Bilali, në një intervistë për “Business Magazine Albania” ka folur për aplikimin e ligjit të Start Up-ve në Shqipëri, krahasimin e këtij implementimi me vendet e rajonit dhe të vetë rajonit me Bashkimit Evropian.
Bilali tha se, në këtë nismë që është ndërmarrë nga qeveria shqiptare për mbështetjen e bzinesit, do të ketë një favorizim për gratë dhe vajzat, për të fuqizuar rolin e tyre në biznes dhe në sipërmarrje.
Ministrja e Shtetit e quan një trend pozitiv interesin e aplikuesve deri tani, ndërsa shpjegon edhe mënyrat se si duhet shkuar drejt përfitimit të mbështetjes.
Çfarë është ligji për Start Up-et?
Ky ligj u miratua në parlament në muajin mars dhe në të parashikohet që bizneset e regjistuara si ‘Start Up’, të kenë mundësi të përfitojnë këshillim pa pagesë, të përjashtohen nga taksat vendore, taksat e pasurisë së paluajtshme, të ndërtesës si dhe nga tatimi mbi fitimin për dy vite rresht. Nga Buxheti i Shtetit janë ndarë 10 milionë euro për këtë kategori biznesesh dhe financimin e tyre në hapat e parë.
Ministrja Bilali thotë se çdo ditë e më shumë shohim të rinj krijues me ide jashtë kornizave dhe trendet e start-up-eve lidhen me fushën e teknologjisë së informacionit, pavarësisht sektorit ku ato aplikohen.
Znj. Bilali, në aplikimet për të përfituar Start-up-e a ka po aq gra sa edhe burra?
Numri i vajzave dhe grave në ekosistemin e Startup-eve, por në tërësi edhe në botën e sipërmarrjes, është tepër inkurajues.
Dukshëm trendi është pozitiv vitet e fundit, duke marrë edhe parasysh thirrjen e fundit të Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, ato kanë si qëllim të mbështesin fuqizimin e grave dhe të vajzave. Një tjetër qëllim është që të kemi mundësi të shkojmë në një barazi gjinore edhe në këtë aspekt, por duhet edhe më tepër punë.
Në cilat fusha Shqipëria synon të fokusohet më tepër?
Shqipëria është një nga vendet ku startup-et janë të orientuara drejt sektorit të turizmit, bujqësisë dhe shërbimeve.
E dukshme është që çdo sektor më pas ndërlidhet me teknologjinë.
Ku dallon Shqipëria më rajonin në implementimin e këtij ligji? Po vetë rajoni si ndryshon në raport me BE-në?
Bashkimi Europian sigurisht që ka nisur mbështetjen e inovacionit dhe të startupeve vite më parë, dhe ka mjete financiare të cilat i ka tashmë në punë prej dhe janë të konsoliduara.
Ndërkohë Shqipëria në mars e kaloi ligjin për Start-up-et. Me rajonin ne jemi të krahasueshëm, por në përgjithësi rajoni në raport me Bashkimin Europian ka akoma punë për të bërë.
A do të favorizohen gratë dhe vajzat në aplikimet e kësaj nisme?
Po. Gratë dhe vajzat edhe në ligj janë të përmendura si kategori, të cilat marrin mbështetje të veçantë, ashtu sikurse edhe vetë në thirrjen e parë që ishte hapur për aplikime të tipit grant. Në momentin që vinte nga sipërmarrës grua apo vajzë kishte pikë shtesë në aplikim.
Ne jemi duke u munduar me instrumenta të diskriminimit pozitiv të rrisim pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në ekosistemim e startup-eve.
Trendi është në rritje, por kemi ende punë deri në momentin që të arrijmë në një industri të konsoliduar në nivel barazie në pjesëmarrje.
Burimi: Business Mag