Zëvendëspresidenti i Parë i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Jurgen Rigterink, vizitoi Shqipërinë në datën 8 shtator 2021. Gjatë vizitës, z. Jurgen Rigterink zhvilloi një sërë takimesh të nivelit të lartë me autoritetet kryesore të vendit, me qëllim rikonfirmimin e angazhimit të BERZH-it në vendin tonë.
Takimi me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, u zhvillua në ambientet e Bankës së Shqipërisë. Në këtë takim, përveç z. Rigterink, morën pjesë dhe përfaqësuesit më të lartë të BERZH-it dhe të Bankës së Shqipërisë.
Fillimisht, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me BERZH-in, kontributin e rëndësishëm e mbështetjen konkrete të tij me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë.
Më tej, Guvernatori e njohu Zëvendëspresidentin e BERZH-it me zhvillimet më të fundit ekonomike dhe financiare në vend. Në veçanti, Guvernatori u ndal në trajtimin e sfidës kryesore me të cilët po përballet ekonomia si: ndikimi i pandemisë, zhvillimet në sistemin financiar e bankar, pritshmëritë lidhur me treguesit ekonomikë në të ardhmen, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike dhe përmirësuar klimën e biznesit.
Ai prezantoi më tej masat e marra nga Banka e Shqipërisë në përgjigje të goditjes së krijuar nga pandemia, ku mund të përmendet rritja e stimulit monetar, nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit dhe rritjes së injektimeve të likuiditetit, si dhe ndryshimet në kuadrin rregullator, të cilat patën për qëllim lehtësimin e shtyrjes së përkohshme të pagesës së kësteve dhe ristrukturimin e kredive bankare për klientët në vështirësi.
Guvernatori theksoi se normalizimi gradual i situatës ekonomike dhe forcimi i qëndrueshmërisë së rimëkëmbjes gjatë vitit 2021, duhet të risjellin në fokus të vendimmarrësve nevojën e përshpejtimit të agjendës së reformave strukturore. Këto reforma duhet të synojnë rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e mëtejshëm të klimës së investimeve dhe të biznesit, si dhe forcimin afatgjatë të qëndrueshmërisë së financave publike.
Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti i BERZH-it vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Z. Rigterink u shpreh se Shqipëria u prek ndjeshëm nga pandemia COVID-19, por iu përgjigj fuqishëm krizës. Tani është koha të ecë përpara dhe të rikthehet në progres dhe rritje ekonomike – një zhvillim që duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i qëndrueshëm. Këto janë gjithashtu dhe prioritetet e BERZH-it, i cili është i gatshëm të mbështesë vendin teksa del nga kriza dhe ndërton një të ardhme më të mirë.
BERZH-i ka investuar deri më sot 1.7 miliardë euro në 115 projekte në vend. Strategjia e vendit thekson mbështetjen për zhvillimin e qëndrueshëm të sektorit privat, nxitjen e shpirtit të sipërmarrjes në ekonomi, komercializimin e projekteve infrastrukturore dhe promovimin e energjisë së rinovueshme dhe investimeve të sigurta për mjedisin.
Në përfundim, Zëvendëspresidenti i BERZH-it shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar falë linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.
Guvernatori Sejko falenderoi dhe njëherë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm të dhënë gjatë bashkëpunimit dypalësh dhe veçanërisht për asistencën teknike që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare dhe politikës monetare me qëllim përafrimin e kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian si dhe e ftoi atë të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.
Burimi: Banka e Shqiperise