Huawei, në bashkëpunim me Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit, nisi rrugëtimin e programit ndërkombëtar “Seeds for Future” për herë të parë në Shqipëri. Nëpërmjet një prezantimi virtual, drejtuesit e kompanisë, profesorët e fakultetit si dhe studentët hapën siparin e një programi tejet novator që sjell përvojën e gjigantit botëror të teknologjisë edhe te studentët shqiptarë.
Duke qenë se arsimi është thelbësor për një shoqëri, programi “Seeds for Future” synon të krijojë mundësi që mbështesin të rinjtë në zhvillimin e tyre profesional në fushën e teknologjisë së informacionit. Ky program kultivon talentet e reja me aftësitë e domosdoshme teknologjike duke i bërë më konkurues në tregun e punës.
Zv. Dekani i Fakultetit të Teknologjisë së Informacionit, Prof. Asoc Indrit Enesi u shpreh se “Mes studentëve tanë ka shumë talente që kanë dëshirë të angazhohen dhe zhvillojnë më tej aftësitë e tyre. Ky program sjell për ta një mundësi unike për t`u trajnuar nga njohësit më të mirë të teknologjisë elitare për tema të tilla si: rrjeti 5G, inteligjenca artificiale, cloud computing…etj. Po ashtu, “Seeds for Future” është ndër programet që ndihmojnë së tepërmi në hendekun e krijuar midis studimeve universitare dhe tregut të punës.“
Drejtuesi Ekzekutiv i Huawei në Shqipëri Z. Sun Gang tha se: “Më vjen mirë që jam pjesë e hapjes së një programi që ka në fokus rritjen dhe zhvillimin e të rinjve shqiptarë. Huawei është kompani e angazhuar që të ndërmarrë nisma të tilla edhe në të ardhmen, duke synuar zhvillimin e mëtejshëm teknologjik të vendit.”
I pranishëm në aktivitet ishte dhe Drejtuesi për Bizneset në Shqipëri, Maqedoni dhe Kosovë Z. Marjan Hoxha, i cili gjatë fjalës së tij drejtuar studentëve evidentoi rëndësinë e trajnimeve të Huawei si dhe avantazhet e përfitimit nga njohuritë e marra. “Duke qenë ish-student i po të njëjtit fakultet, ndjej kënaqësi të veçantë të prezantoj sot një program kaq me vlerë për studentët, që i ndihmon në zhvillimin e aftësive që lidhen me teknologjinë e informacionit. Çdo student do ndihej me fat të certifikohej nga kompani me përparim të tillë teknologjik, si Huawei.“
Programi zgjat 8 ditë, gjatë të cilave studentët e përzgjedhur ndjekin kurset online nga profesionistët e fushës. Në fund të programit atyre u akordohet një certifikatë që vlerëson njohuritë e përftuara.
“Seeds for Future” u prezantua për herë të parë në vitin 2008 me qëllimin për të zhvilluar talentet e TIK në të gjithë botën duke ndërtuar ura komunikimi mes vendeve e kulturave të ndryshme. Aktualisht programi shtrihet në 130 vende e rajone dhe rreth 9000 studentë kanë përfituar prej njohurive të tij. Së fundmi, programi u shtri edhe në Shqipëri, duke ndarë ekspertizën dhe përvojat e mjedisit global të biznesit. Huawei në Shqipëri do vazhdojë të sjellë pranë studentëve në vendin tonë, praktikat më të fundit të teknologjisë elitare në botë.