Investimet turke në Shqipëri arritën në rreth 111 milionë euro gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Shifra u bë e ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë Forumit të Biznesit Ballkanik në Tiranë, ku në fokus ishte forcimi i marrëdhënieve ekonomike dhe krijimi i mundësive të reja për bashkëpunim mes vendeve të rajonit.
Gjatë fjalës së saj, ministrja u bëri thirrje kompanive turke që të mos e shohin Shqipërinë vetëm si një treg ku mund të shesin produktet e tyre apo të marrin kontrata, por edhe si një vend ku mund të investojnë dhe të zhvillojnë aktivitetin e tyre afatgjatë.
“Ne do t’i krijojmë kushtet, por duhet që edhe biznesi të jetë më aktiv. Uroj që interesi i kompanive turke në Shqipëri të mos jetë vetëm për të kontraktuar apo për të shitur, por edhe për të investuar”, u shpreh Ibrahimaj.
Turqia mbetet një nga partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë, duke zënë 7,3% të volumit të përgjithshëm tregtar të vendit gjatë vitit 2025. Megjithatë, marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve vijojnë të dominohen nga importet, çka e bën të rëndësishëm zgjerimin e eksporteve shqiptare drejt tregut turk.
Sipas ministres, rritja e pranisë së produkteve shqiptare në Turqi dhe shtimi i investimeve të drejtpërdrejta janë dy drejtime ku duhet të përqendrohen përpjekjet për të balancuar dhe forcuar më tej bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve.
Forumi, i organizuar nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Turqi (ATTSO), bëri bashkë përfaqësues të bizneseve dhe dhomave të tregtisë nga Shqipëria, Turqia, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Synimi ishte krijimi i kontakteve të reja mes sipërmarrësve dhe identifikimi i mundësive konkrete për tregti dhe investime në rajon.
Ibrahimaj theksoi se bashkëpunimi rajonal është një element i rëndësishëm për tërheqjen e kapitalit të huaj, pasi tregjet e vogla të vendeve të Ballkanit Perëndimor e kanë më të vështirë të ofrojnë të vetme mundësi të mëdha për investitorët ndërkombëtarë.
“Ne, në Ballkanin Perëndimor, jemi ekonomi të vogla dhe vetëm duke bashkëpunuar, duke investuar bashkërisht dhe duke shfrytëzuar kapacitetet tona aty ku secili ka avantazhe konkurruese, mund të përthithim më shumë investime dhe të nxisim tregtinë”, deklaroi ministrja.
Në këtë drejtim, zhvillimi i tregut të përbashkët rajonal shihet si një mundësi për të lehtësuar lëvizjen e mallrave, për të ulur barrierat dhe për të shkurtuar kohën e nevojshme për të bërë biznes. Këto ndryshime synojnë ta bëjnë rajonin më konkurrues dhe më tërheqës për kompanitë e huaja, ndërsa njëkohësisht shërbejnë si përgatitje për integrimin në tregun e përbashkët evropian.
Sa i përket marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Turqisë, ministrja shprehu pritshmërinë që puna e komisionit të përbashkët ekonomik të konkretizohet brenda këtij viti me nisma dhe plane të qarta. Qëllimi është që interesimi i ndërsjellë të kthehet në më shumë projekte konkrete, zgjerim të tregtisë dhe investime të reja, të cilat mund të krijojnë mundësi zhvillimi për ekonominë shqiptare.











