Konfindustria vlerëson, se programi i qeverisë Rama 3 në tërësinë e shtyllave kryesore të paraqitura, është larg pritshmërive të biznesit dhe përballjes me problematikat kryesore të ekonomisë shqiptare. Programi jo vetëm në thelbin e tij, por edhe në mënyrën formale është i parharmonizuar në pjesët përbërëse, me shfaqje të dukshme të mungesës së profesionalizmit dhe shkallës së besueshmërisë të arritjes së qëllimeve dhe objektivave të paraqitura. Konfindustria, njëkohësisht vlerëson pozitivisht dhe mbështet emërimet e drejtuesve të rinj me formim akademik cilësor në disa prej ministrive të qeverisë Rama 3.
Së pari në programin e paraqitur mungon analiza e thelluar e shmangies së lartë të mosarritjes së qëllimeve të programit ekonomik të mëparshëm. Përligjja e mosarritjes të qëllimeve me fatkeqësitë natyrore të tërmetit të vitit 2019 dhe përballjes me pandeminë e Covid është e pamjaftueshme. Ekonomia shqiptare kishte shfaqur shenja të qarta të problematikave strukturore edhe përpara vitit 2019. Rritja mesatare në vetëm 2-3% e PPB në 6 vjecarin e parë të qeverisjes 2013-2019, është qartësisht e pamjaftueshme në kushtet e rritjes së borxhit publik në të paktën mbi 80% të PPB.
Së dyti, në program mungon analiza e thelluar dhe paraqitja e politikave të reja të përmirësimit të të metave thelbësore të sistemit të sotëm ekonomik si; -shkalla e lartë e monopolizimit sidomos në sektorët strategjikë, -konkurenca e ulët e pamjaftueshme, -roli tërësisht i munguar i agjensive rregullatore të tregut, -korrupsioni i tipit primitiv dhe “state capture/kapje e shtetit”, sidomos në: -prokurimin publik, -politikat koncesionare dhe PPP, në nivel qëndror dhe vendor, -shkallës së lartë të pranisë së “parave të zeza” dhe –informalitetit të përhapur. Sistemi i sotëm ekonomik paraqet shkallë të ulët besimi në përmbushjen e synimit për rritje ekonomike 4.5-5% të PPB dhe financimit të projekteve investuese dhe premtimeve të paraqitura në programin e qeverisë Rama 3.
Së treti, programi qeverisës Rama 3 nuk paraqet politikat ekonomike, tregtare, financiare dhe fiskale të ndara sipas sektorëve dhe mënyrës sesi duhet bërë shpërndarja e investimeve buxhetore me qëllim rritjen e efektivitetit të përdorimit. Sa më sipër janë të domosdoshme, sidomos në kushtet e proceseve politike integruese rajonale dhe BE. Gjithashtu, programi paraqet kontradikta të thella ndërmjet qëllimeve të vendosura dhe mjeteve të arritjes së tyre. Përmendim këtu mungesën e parashikimit të investimeve në zgjidhjen e problematikave të thella dhe urgjente në fusha si përpunimi i ujrave të zeza, mbetjeve të ngurta, etj., me ndikim të drejtpërdrejtë të dëmshëm në industrinë e turizmit të përcaktuar si qëllim parësor në program, ndërkohë që paraqitet një listë investimesh e paarsyetuar në mënyrë krahësimore për ndërtim aeroportesh, rrugësh, hekurudhash, etj.
Së katërti, besueshmëria e arritjes së suksesit të programit të Qeverisë Rama 3, ulet ndjeshëm edhe nga ndërtimi i ministrive më pjesë përbërëse, që kanë përplasje interesi institucional ndërmjet tyre. Përmendim Ministrinë e Financave që përfshin edhe Ekonominë, Ministrinë e Bujqësisë, që përfshin edhe Sigurinë Ushqimore, Ministrinë e Turizmit, që përfshin edhe Mjedisin. Sidomos, mungesa e Ministrisë së pavarur të Ekonomisë dhe Tregëtisë është e papranueshme në kushtet e sotme të zhvillimit ekonomik dhe proceseve integruese me pasoja në prodhimin dhe industritë vendore.