Kuvendi i tretë i “Shkollës Shqipe” në Zvicër

Në datë 22 Janar 2023 u mbajt në Bernë, Kuvendi i Tretë i “Shkollës Shqipe” Zvicër. Në këtë takim të rëndësishëm u analizua puna e bërë gjatë vitit të kaluar, u evidentuan rezultatet e arritura dhe identifikuan sfidat me të cilat janë ndeshur mësimdhënësit e gjuhës shqipe që veprojnë në kuadër të “Shkollës Shqipe”, si dhe u përcaktuan objektivat për vitin 2023. Kuvendi zgjodhi edhe organet e reja drejtuese të “Shkollës Shqipe”. Në këtë Kuvend i pranishëm ishte dhe Ambasadori i R. së Shqipërisë në Zvicër z. Ilir Gjoni, i cili përshëndeti dhe përgëzoi mësuesit dhe prindërit për punën e lëvdueshme që kanë bërë në masivizimin e gjuhës shqipe dhe vlerësoi lartë përkushtimin dhe profesionalizmin e tyre. Ai garantoi angazhimin maksimal të Ambasadës së R. së Shqipërisë në Bernë në mbështetje të masivizimit të mësimit të gjuhës shqipe në diasporën shqiptare në Zvicër. Një vlerësim të veçantë pati për prindërit e angazhuar në mbështetje të “Shkollës Shqipe” si dhe për gjithë veprimtarët që kontribuojnë në ndërgjegjësimin e komunitetit shqiptar për domosdoshmërinë e ruajtjes së gjuhës, kulturës e traditave të bukura shqiptare.

Pjesëmarrësi i përshëndeti Ambasadori i R. së Shqipërisë z. Gjoni 

Kuvendi filloi me një raport të detajuar nga ana e koordinatorit të “Shkollës shqipe” Zvicër Vaxhid Sejdiut, i cili shfletoi faqe pune gjatë vitit 2022; hapjen e pikave shkollore, organizimin dhe masivizimin e shkollës shqipe, sensibilizimin e prindërve shqiptarë në mbarë Zvicrën, zgjerimin e pikave shkollore në 17 kantone të Zvicrës, takimet me prindërit dhe organizimin e këshillave prindëror, angazhimin dhe përfshirjen e sa më shumë mësuesve në orët mësimore, si dhe rreth organizimit të organeve drejtuese të “Shkollës Shqipe”. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe organizimit të aktiviteteve të lira: si konkursit të diturisë,  turneut të futbollit, manifestimeve shkollore kushtuar festave kombëtare 28 Nëntorit, 17 shkurtit, 7 e 8 Marsit, pjesëmarrjes së nxënësve në aktivitetet kulturore në promovimin e veprave letrare etj.

Fjala e koordinatorit u përmbyll me kalendarin vjetor, apo me parashikimet për vitin 2023, ku qëllim kryesor është zgjerimi i “Shkollës shqipe” në mbarë Zvicrën si dhe përfshirjen e sa më shumë nxënësve në orët mësimore të gjuhës shqipe. Të nderuar pjesëmarrës, ëndrra vazhdon, që të kemi sa më shumë pika shkollore, sa më shumë nxënës të jenë pjesë e orëve mësimore në gjuhën amtare si dhe të kemi sa më shumë mësues në mesin tonë tha ndër të tjerash koordinatori Vaxhid Sejdiu.

Dr. Vaxhid Sejdiu, gjatë prezantimit të raportit vjetor në Kuvendin e Tretë.

Në pjesën e parë u dhanë edhe raportet e punës të përgjegjësve kantonalë, të mësuesve Lumnije Klinaku – Neziri, e cila bëri një raport të detajuar për Kantonin e Zug-ut, të mësuese Anita Duriçit nga kantoni Wadt dhe mësuese Boralda Kuçi nga Kantoni i Bernës, të cilat prezantuan pikat shkollore, takimet, manifestimet dhe aktivitetet shkollore në këto kantone.

Në mesin e  raporteve dalluam edhe raportin e përgjegjëses së sektorit për informim mësuese Nazmije Murati – Kamberit, e cila foli për përpjekjet për një informim sa më të shpejtë dhe sa më të drejtë të prindërve, rreth rolit të gjuhës dhe kulturës kombëtare të fëmijët shqiptarë, shpërndarjes ë lajmeve rreth shkollës shqipe dhe prezantimit sa më të denjë të punës dhe përkushtimit të nxënësve, prindërve dhe mësuesve të shkollave shqipe. Një material i cili u ndoq me interesim.

Raportet u mbyllën me raportin financiar, edhe pse modest, raporti u prezantua në mënyrë të detajuar për pjesëmarrësit. Të gjitha raportet u prezantuan në mënyrë elektronike.

Anëtarët e Kryesisë së “Shkollës Shqipe” Zvicër, edhe njëherë dëshmuan gatishmërinë  e tyre në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare

Dhe në fund u zgjodhën organet drejtuese në krye me koordinatorin dr. Vaxhid Sejdiun, dhe nënkryetaret Anita Duriçin, Lumnije Klinaku – Nezirin dhe Dr. Leonora Zoton, Iba Bulica arkëtare, kurse Minire Azemi, Boralda Kuçi, Nazmije Murati – Kamberi, Albulena Jusufi, Isuf Ismaili, Sejdi Rexhepi Teuta Myrtaj, Nora Macula, Alma Mico, Murtez Elezaj, Albana Kaba, Anila Muçaj, Besim Laci dhe Lazim Bakia, u zgjodhën anëtarë të Kryesisë.

Edhe njëherë mësuesit e “Shkollës Shqipe” në Zvicër dëshmuan gatishmërinë e tyre për t`i shërbyer sa më mirë organizimit të shkollave shqipe si dhe për të qenë sa më afër fëmijëve të mërgimtarëve shqiptarë, të cilët kanë aq shumë nevojë për gjuhën amtare.

Burimi: Diaspora Shqiptare