Margjelo Filigran Albania, punimet artizanale me filigran argjendi

Margjelo Filigran Albania, një sipërmarje artizanale është krijuar para dy vitesh në qytetin e Shkodrës. Prodhimet e tyre kryesore janë bizhu, suvenire apo objekte të tjera zbukurime me filigran argjendi.

Të gjitha produktet e prodhuara në punishten e tyre, bëhen nëpërmjet proceseve handmade me qëllim ruajtjen dhe trashëgimin e zejit të vjetër të punës me filigran. Punimi me filigran deri në fillimin e viteve ’90 ishte një zeje që punohej në masë në qytetin e Shkodrës, por që aktualisht punohet gjithnjë e më pak.  

Margjelo, edhe pse u krijua pak ditë para ardhjes së pandemisë botërore, arriti të rritet ngadalë dhe ka krijuar një identitet të sajin në tregun e prodhimit të punimeve artizanale në Shqipëri.

Suveniret e Margjelo kryesisht tregojnë detajet e historisë apo trashëgimisë tonë kulturore, siç janë figurinat që paraqesin heroin tonë kombëtar Skënderbeun, harta e Shqipërisë apo ajo e Kosovës, veshjet tradicionale të grave shqiptare si xhubleta, veshjet e meshkujve siç është jeleku që mbahej nga burrat shqiptar apo këpucët e stilit tradicional shqiptar. Të gjitha ato punohen me dorë të lirë, me teknikën e filigranit dhe me material argjendi.

Bizhuteritë kanë dizenjo të trashëguara nga brezat e mëparshme që kanë punuar këtë zeje, por gjithashtu kanë edhe dizenjo bashkëkohore, për të ofruar bizhu të punuara me filigran, për të qenë të përdorshme edhe në stilin modern të kohëve të sotme.

Bizhutë, suveniret dhe objektet e tjera të ndryshme të zbukurimit krijohen gjithashtu edhe të personalizuara, sipas kërkesave të veçanta të klientëve të Margjelo.

Vizioni për Margjelon është shumë ambicioz, me dëshirën për të ruajtur këtë zeje të lashtë si një pjesë të çmuar të trashëgimisë tonë kulturore. Nga pasioni për artizanatin e gjithashtu edhe nga dëshira për të krijuar një inovacion në turizmin kulturor të qytetit të Shkodrës.

Së shpejti të gjithë vizitorët vendas dhe të huaj do të mund të shohin live performimin e proceseve handmade të prodhimit të produkteve të Margjelo me filigran argjendi.

Gjithashtu ata kanë krijuar edhe një punishte për punë të tjera artizanale, si qëndisma me grep apo me tezgja të cilat gjithashtu janë zeje të punuara ndër breza nga artizanët e qytetit të Shkodrës. Një pjesë e rëndësishme e ambienteve të Margjelo është edhe shoëroomi ku ne ekspozohen të gjitha punimet e tyre. Në oborrin e gjelbër të Margjelo të krijuaj veanërisht për vizitorët, ju mund të çlodheni, të degustoni pije dhe zahire të ndryshme të prodhuara në veriun e Shqipërisë tonë të bukur.

Emri Margjelo është zgjedhur sepse është një emër femëror, emër i një femre shqiptare. Edhe vetë Margjelo është një sipërmarrje që drejtohet nga një femër dhe si mision tjetër të saj ka punësimin dhe mbështetjen e grave në zonën rurale ku Margjelo ndodhet, si dhe të grave të shtresave të margjenalizuara të cilat do të jenë gjithmonë në qendër të projekteve të krijuara dhe zhvilluara nga kjo sipërmarrje.

Aurora Piranej drejtuese e Margjelo

Margjelo ndodhet 7 km pa hyrë në qytetin e Shkodrës në rrugë kryesore. Gjithashtu, disa nga punimet e tyre mund t’i shihni në adresën e Instagramit: @margjelo_filigran.albania./ProBizz.al