Marjana ka studiuar Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe ëndrra e saj si studente ishte të prekte dyert e diplomacisë perëndimore. Por, dashuria e saj ndaj traditës dhe kulturës së rajonit nga vjen, e lidhi më shumë me kthimin në Shqipëri, pranë tokës së të parëve. Familja e saj ka punuar në turizëm, kryesisht turizmin ujor, në liqen. “Un jam ma e dashurume me tokën e me malin, se sa me ujin. Un doja rranjët, doja me hedhë rranjë ma shumë, aty ku kam rranjë prej shekujsh. Atë që asht e aftë me ba toka, un e quej alkimi. Jam akoma në zbulim të k’saj alkimie t’bukur”, thotë ajo në një intervistë për Businessmag.
Studimet e kryera, e kanë bërë të prekë shumë fusha studimi: si antropologji, sociologji, ekonomi, etj. “E dashuroj traditën dhe identitetin tonë shqiptar e kena kaq shumë, sa me i kallxue botës, bukur dhe pastër atë çka jena, pa shtesa të panevojshme. Synoj me ndërgjegjësue që turizmi me identitet, asht ai që na bjen ma për shtat, që kena nji kulturë e tradita të jashtëzakonshme, që ne duhet me u krenu me çka jena ne prej t’parëve tanë. Dua që ma shumë njerëz të hapin dyert e kullave, sesa të hedhin pistat e betonit, që ma shumë të rinj të kthehen te rraja e t’rikthejnë në jetë atë ç’ka ka n’xanë pluhni”, thotë Marjana Koçeku.
Në zonën e Dukagjinit, ku ndodhet kulla e prindërve të saj, mes malit dhe bregut të Komanit, toka për prodhime bujqësore është e pakët, por edhe shumë pengesa të tjera në infrastrukturë e bëjnë të vështirë zgjerimin e biznesit.
Ndaj Marjana thotë se: “së pari, synoj të arrij ta mbaj për vete në kto nivele, pasi asht shumë sfiduese në kushtet ku jena. Mandej synoj me frymzue që ma shumë të më ndjekun në ktë rrugë të vështirë, por me adrenalinë e histori fisnike nga pas. Duke qenë se ndodhemi larg “civilizimit” urban, jeta kaq e thellë rurale të përball me disa sfida pak ma ndryshe. Ne kena drita vetëm që 3 muaj. Ma parë nuk kemi pasur dhe rrobat i kam la përditë me duar, si për familjen dhe turistat. Të pasurit lavatriçe dhe frigorifer e drita, për mu asht super luks. Në kohë thatësire ndodh që ndalon uji, të cilin e marrim në burim. Infrastruktura rrugore deri në Koman asht jashtzakonisht e vështirë dhe e pafavorshme për jetesë dhe për turizëm. Sfida tjetër asht me rrit produkt të parë të mirë. Synimi asht me rrit gjithçka 100% vet nga ferma, por për shkak të kufizimit në toka, nuk ia kemi dalë. Kemi mbledh nga banorët e zonës, por fatkeqësisht njerëzit përditë e ma pak po merren me kto punë fisnike, si mbarështimi i bagtive e mbjellja e tokës. Sfidë tjetër janë valët e telefonit. Unë rri si Deda në shtyllë me kapë valë, po nuk ia dal gjithmonë. Gjej rast t’u kërkoj falje tanë shqiptarëve që nuk u jam përgjigjë ktë sezon në telefon, po m’besoni që asht vetëm për arsye kushtesh”.
Burimi: Businessmag.al