Meta ka vendosur të ndalojë programin që bënte të mundur pagimin e bonuseve drejt krijuesve të Reels që arrinin një shikueshmëri të lartë. Ky program u prezantua për herë të parë në vitin 2021 dhe kishte si qëllim që të nxiste krijuesit që të publikonin më tepër përmbajtje në formatin Reels.
Ndalimi i këtij programi u raportua fillimisht nga Business Insider, dhe tregohej se platformat duan të tërhiqen nga strategjia e pagimit të krijuesve në bazë të popullaritetit të videove të tyre të shkurtra. Megjithatë Meta mund të rikthejë një program me qëllim të caktuar nëse Reels do të prezantohen në tregje të reja (aktualisht Reels janë të aksesueshme në 150 shtete).
Për të gjithë krijuesit e Reels në Facebook dhe krijuesit në Instagram nga SHBA, ky program ishte me të vërtetë shumë i mirë pasi është raportuar se shumë krijues kanë marrë deri në $10,000 bonuse nga postimet e tyre, madje disa të tjerë pretendojnë se kanë përfituar deri në $35,000 në muaj.
Vitin e kaluar, Mark Zuckerberg lajmëroi se Reels arritën të sillnin rreth $1 miliardë fitime në vit për Meta, megjithatë shtoi se kompania pret që ky fitim të rritet në vitet e ardhshme.
“Qëllimi i rradhës ku ne jemi të fokusuar është të vazhdojmë rritjen e Reels dhe përmirësimin e teknikave të monetizimit në platformë ose fitimeve që gjenerohen për 1 minutë Reels të shikuar. Aktualisht efiçienca e monetizimit e Reels është shumë më e ulët se e asaj në Feed.”
Burimi: Geek Room