Euro po qëndron pranë nivelit më të ulët në histori edhe gjatë ditë së sotme në raport me lekun, në tregun e brendshëm valutor. Duket se flukset e mëdha të euros në ekonominë shqiptare, për shkak të numrit të lartë të turistëve, po ushtrojnë presion mbi monedhën europiane, pavarësisht se në tregjet ndërkombëtare po qëndron në nivelin më të lartë në disa muaj, përballë dollarit amerikan. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, të mërkurën 1 euro u këmbye mesatarisht me 99.64 lekë, shumë pranë nivelit më të ulët historik prej 99.6 lekë, të regjistruar të martën. Rënia për këtë vit e euros ndaj lekut tashmë ka shkuar në rreth 6%.
Gjithashtu, për herë të parë në histori, euro ka zbritur poshtë 100 lekëve edhe në shitje. Sipas agjencisë së këmbimit valutor, Iliria 98, euro blihej të mërkurën me 99.2 lekë dhe shitej me 99.9 lekë. Deri datën 10 gusht, euro i rezistoi nivelit psikologjik të 100 lekëve, falë disa ndërhyrjeve të Bankës së Shqipërisë për të blerë monedhën europiane në tregun e brendshëm, pavarësisht fluksit të madh të turistëve. Tregu ka qënë në pritje të një ndërhyrje tjetër të Bankës së Shqipërisë për ta kthyer euron sipër kufirit të 100 lekëve, por një gjë e tillë deri më tani nuk ka ndodhur. Gjatë këtij viti, me objektivin e rritjes së rezervës valutore, Banka Qendrore synon të blejë përmes ankandeve mes 250-330 milionë euro, por nëse vërehen situata anormale në treg, ky institucion mund të ndërhyjë për të stabilizuar kursin e këmbimit të lekut me valutat kryesore, sidomos me euron.
Kjo rënie e euros në tregun e brendshëm vjen në një kohë që në tregjet ndërkombëtare, monedha europiane po performon shumë mirë ndaj monedhane kryesore ndërkombëtare, sidomos ndaj dollarit. Divergjencat mes politikave monetare të Bankës Qendrore Europiane dhe Rezervës Federale në SHBA, kanë bërë që euro të ngjitet në mbi 1.11 dollarë, niveli më i lartë në 9 muajt e fundit.
Por, ecuria e çiftit euro/lek në tregun e brendshëm varet kryesisht nga kërkesa dhe oferta. Për këtë arsye, ecuria e euros përballë dollarit në tregjet ndërkombëtare, reflektohet në çiftin dollar/lek në tregun e brendshëm.
Leku është forcuar edhe përballë monedhave të tjera kryesore, pjesërisht, për shkak të dobësimit të euros, që është valuta referuese në përcaktimin e kursit të lekut me monedhat e tjera. Sipas Bankës së Shqipërisë, dollari amerikan u këmbye të mërkurën me 89.63 lekë, niveli më i ulët që nga tetori i vitit 2008./Scan