Mes Shqipërisë dhe Amerikës, Nevila Dudaj flet gjuhën e biznesit. Sipëmarrësja e Adriatik Hotel është një ambasadore e turizmit shqiptar në botë, veçanërisht në SHBA. Znj. Dudaj, ka hapur prej disa vitesh në SHBA agjensinë turistike, Adriatik Tours, me të cilën punon për promovimin e Shqipërisë dhe rajonit të Ballkanit, si destinacion turistik.
Si një grua që i ka ngjitur shkallët e karrierës një nga një, edhe pse në biznesin e saj familjar, është një model për çdo grua sipërmarrëse, për vlerat që e përfaqësojnë. Në punën e saj, Dudaj dallon për qëndrueshmërinë, kujdesin ndaj klientit, kontributin në shoqëri, fuqizimin e grave, krijimin e networkut dhe mbështetjen e të rinjve.
Ajo është bërë pikë referimi për diasporën në Shqipëri, jo vetëm me hotelin bregdetar, por edhe me këshillat e saj në zhvillimin e biznesit. Pjesë e shumë organizatave të biznesit ndërkombëtar dhe vendase, po punon fort për të nxitur investimet e huaja dhe të diasporës në tregun shqiptar, duke dhënë këshillat e duhura dhe duke qenë mentore e tyre. Së fundi, përmes konsulencës së saj, disa sipërmarrje shqiptare, po shohin mundësinë e zgjerimit të tregut edhe jashtë Shqipërisë.
Në fushën e turizmit, ku prej vitesh është faktor, si drejtuese, por edhe si njohëse e mirë e turizmit, ajo ka nisur podcastin Travel2Albania, krahas revistës me të njëjtin emër dedikuar turizmit.
Me role të rëndësishme fillimisht në Dhomën Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, ajo sot është anëtare e disa organizatave dhe institucioneve të huaja. Ajo është anëtare bordi në disa institucione, mes të cilave Advisory Board Member në New Haven University si edhe Anëtare e Forbes Business Council. Ajo është zgjedhur njëkohësisht edhe si një nga zërat e New Era of Leaders.
Në fushën e artit, për shkak të mbështetjes që u jep projekteve artistike ndërkombëtare, znj. Dudaj është shpallur Presidente Nderi e Life&Music Concept, drejtuar nga Kledis Rexho. Ajo po mbështet edhe ngritjen e Akademisë së Operas në Durrës, drejtuar nga Gëzim Myshketa.
Në këtë intervistë ne ju kemi sjellë rrugëtimin e saj si sipërmarrëse dhe humaniste.
Ju shohim të menaxhoni bizneset tuaja në fushën e turizmit të ndara në dy kontinente, por me fokus turizmin shqiptar. Por, para se të flasim për këtë, si ka nisur angazhimi juaj në sipërmarrje? Cili është formimi juaj, cilët janë hapat e parë?
Formimi im është ekonomik dhe juridik. Kam filluar të punoj në menaxhimin, me punën time të parë në hotel Adriatik, kur u privatizua. Fillova punë në back office për të bërë planin e zhvillimit, me sa yje do të bëhej hoteli, për të llogaritur kthimin e investimit, etj. Isha më e reja në ekipin, i cili përbëhej nga vjehrri im, bashkëshorti dhe kunati.
Kam nisur duke punuar shumë fort me e-maile për kërkime skuadrash pune, të cilat i kemi gjetur në Turqi. Në vitin 2000-2003 ishte e vështirë të gjeje në Shqipëri skuadra për punimet e ajrit të kondicionuar, pishina etj. Studio që morëm kishte bërë shumë resorte në Turqi.
Duke mos pasur përvojë në menaxhim, kam punuar për përzgjedhjen dhe për të gjetur një menaxher të huaj, ndërsa ndoqa një program menaxhimi si General Manager në vitin 2002. Aty mësova shumë rreth vlerave që duheshin për të qenë një Menaxhere e Përgjithshme. Gjatë rekrutimit për General Manager, aplikuan mbi 60 menaxherë dhe Peter Bartman u përshtatej kërkesave tona. Kam mësuar shumë nga ai, dhe mbi të gjitha, nga vjehrri im sipërmarrës. Mësova si negocionte dhe si zgjidhte situata të caktuara. Isha drejtore Ekzekutive dhe më duhej të ndiqja të gjitha detajet. Mendoj se kam qenë e vetmja femër aktive në fushën e turizmit në atë kohë. Në vitin 2003 u bë lançimi i hotel Adriatik me 5 yje, që plotësonte kushtet me standardet europiane.
Ju gjithashtu keni sjellë një Franchise të Real Estate në Shqipëri në 2007 dhe keni investuar e menaxhuar një biznes në fushën e estetikës. Si kanë qenë eksperiencat tuaja në këto fusha?
Përvojat e mia, si me sjelljen e Franchise Century 21 dhe me menaxhimin e biznesit tim, i cili u hap në 2005, Vip Line Center, më kanë rritur profesionalisht. Fokusi im ishte tek shërbimi i klientit. Para 20 vitesh kishte një mungesë të theksuar të shërbimit të klientit, si për nga cilësia edhe për protokollet. Vip Line Center ishte një histori suksesi dhe vazhdon edhe sot në zonën e ish Bllokut. Ishte vendi ku secila kishte hapësirën dhe kujdesin maksimal, pa asnjë dallim. Këtë rregull kam ndjekur tek çdo biznes dhe i ka dhënë frytet e veta.
Vendimi për të sjellë Century 21 në vitin 2007, lidhej me nevojat e tregut shqiptar. Amerikanët kërkonin prona në Shqipëri dhe nuk ndiheshin të sigurt për transaksionet. Ishte një nevojë e momentit që zyrtarizoi Century 21. Jam shumë e lumtur që kemi qenë pionerë, duke vënë norma në këto fusha.
A mund të ndani ndonjë moment të rëndësishëm që ju ka sfiduar, por njëkohësisht ju ka formësuar si sipërmarrëse?
Momente sfiduese ka plot dhe vazhdojnë edhe sot. Në fillim, pengesa më e vogël më dukej shumë e madhe, pasi si detajiste, doja që çdo gjë të ishte në perfeksion. Kur diçka del papritur, është momenti që të bën të mendosh nëse do të ecësh përpara, do të ndalosh apo të kthehesh mbrapa. Çdo sipërmarrës do ketë momente të tilla gjatë jetës. Gjithmonë ka një zgjidhje, edhe pse ka raste kur biznesi nuk vazhdon dot më tej dhe duhet të tërhiqesh.
Në marrëdhënien tuaj me klientët, komunitetin, kemi parë një qasje bashkëpunimi. Pra, një klient nuk e trajtoni vetëm si klient, por edhe sugjeroni, në njëfarë mënyrë i asistoni falas në planet e tyre të zhvillimit, në projekte. Kemi parasysh këtu Life & Music Concept dhe me siguri do të ketë edhe nisma të tilla të ngjashme. Kjo qasje ju ka marrë apo ju ka dhënë më shumë?
Marrëdhënien me klientët e bëj pjesë të network-ut tim dhe besoj shumë në Powered Network.
2 karakteristikat që një sipërmarrës të ecë janë:
Të krijojë një brand të fortë dhe të besueshëm. Sa më i fortë të jetë ky brand, aq më shumë sukses do të ketë.
E dyta, networku është i rëndësishëm dhe krijohet natyrshëm. Është shumë e rëndësishme që klientët të jenë bashkëpunëtorë në të ardhmen. Kam lexuar një libër që më bëri përshtypje. Fliste për konceptin “banka e favoreve”, një koncept shumë i bukur, pasi e shikoja veten aty. Gjyshja ime nga ana mamit ndihmonte njerëz, mamaja ime po ashtu. E tillë jam dhe unë. Nuk mund të rri indiferente kur kam mundësi të zgjidh probleme. Kam marrë një telefonatë nga Kledis Rexho para 3 vitesh, pasi kemi qenë aktivë në mbështetjen e artistëve të rinj të qytetit të Durrësit. Të tilla janë realizimet me mjeshtrin Florian Vlashi, apo ekspozita të ndryshme të artit, publikimet e librave të Bashkim Hoxhës dhe mjeshtrit Gëzim Domi. Kledisi kërkoi ta mbështesnim dhe të gjenim violinist të rinj në Shqipëri. Nuk e refuzova. I thashë po, pasi hoteli më i vjetër në Durrës, 67 vjeçar është i hapur për të gjithë artistët. Ndihma që Kledisi po u ofron artistëve të rinj është e vlefshme dhe ne ia dhamë mundësinë për këtë projekt. Ne kemi qenë shumë të angazhuar për të ngritur përgjegjësinë sociale. Nuk besoj që një biznes funksionon nëse nuk u japim mundësi atyre që duhen të zhvillohen. Lidhjet e network-ut bëhen më të mëdha. Talentet e reja në Shqipëri, në art sidomos, janë lënë disi mënjanë, të abuzuar ose të kërcënuar nga drejtuesit e tyre. Çdo përpjekje e artistëve si Ermonela Jaho apo Kledis Rexho, Genc Tukici, Florian Vlashi dhe së fundmi Gëzim Myshketa, që do ndërtojë një opera, janë pozitive për të ndihmuar talentet e reja. Ato sjellin atmosferë pozitive dhe plot mundësi.
Sipërmarrja në fushën e turizmit është sfiduese. Duhet të merreni me shumë shërbime dhe të kujdeseni që stafi të ofrojë më të mirën në çdo shërbim. Si e realizoni këtë, kur shumicën e kohës jeni në distancë dhe me rreth 6 orë diferencë në kohë?
Kjo është e vërtetë! U bë që prej vitit 2016 që drejtoj hotel Adriatikun, duke e ndarë kohën mes Shqipërisë dhe Amerikës. Kam arritur ta realizoj këtë, pasi arrita të vendos bazamentet në vitin 2016. Realizuam rinovimin e hotelit në tërësi dhe morëm punonjës që kishin dëshirë e pasion të mësonin. Çdo departament është plotësuar në mënyrë të tillë që ne i menaxhojmë si entitete më vete, pra çdo departament ka menaxherin dhe supervizorin përkatës. Në këtë mënyrë kam arritur të menaxhoj në efiçencë, duke drejtuar remote. Ka qenë e vështirë, pasi edhe fizikisht është e vështirë. Duhet të ngrihesh herët në Amerikë që të ndjekësh oraret e Shqipërisë. Njihesha me të gjitha detajet që më çonin menaxherët përkatës, të secilit departament, menaxherja e eventeve, menaxheri i burimeve njerëzore, housekeeping, kuzhina, ushqimi dhe pijet, financa, SPA-ja e kështu me rradhë. Pra, të gjitha departamentet raportonin me e-maile, me WhatsApp, me telefon. Ishim vazhdimisht në kontakt. Kemi gjetur mënyra të ndryshme komunikimi. Kur ka pasur diçka për t’u konfirmuar, verifikuar apo për të dhënë shembull këmbenim foto, mesazhe, mesazhe zanore, telefonata të gjata deri sa të shpjegohesha deri në fund çfarë kuptoja me diçka, apo se çfarë duhet të bëja me atë rast.
Pastaj, kemi vendosur standardet e procedurave operative. Kjo ka qenë shtylla mbështetëse. Është gjithë rregullorja e gjithë departamenteve në veçanti, kështu që duke e ditur secili punën e vet, nuk ka ngatërresa dhe nuk ka ndërhyrje te njëri-tjetri. Kjo është A-ja e menaxhimit, pra në qoftë se të gjithë e kanë të qartë atë që duhet të bëjnë çdo ditë, atëherë është më e thjeshtë për të gjithë që të respektojnë procedurat dhe protokollin; kjo është A-ja.
Pjesa tjetër e ditës, pasi mbaronin oraret e Shqipërisë, fokusi kalonte tek agjensia, sepse po në dhjetor të 2016 themelova Adriatik Tours, një agjensi e cila, nisi si agjensi turistike që sillte turistë amerikanë në Shqipëri, përmes paketave turistike. Ne kemi qenë agjensia e parë e parametrave amerikanë që promovonte Shqipërinë në atë kohë, duke marrë pjesë në panaire të ndryshme, duke marrë pjesë nëpër organizatat ndërkombëtare dhe amerikane si Travel Advisers. Me Adriatik Travel, jemi antarë të ASTES, American Seaside Travel Advisers of Virtuoso, etj. Kështu, iu kemi afruar më shpejt vizitorëve amerikanë Shqipërinë.
Me agjensinë tuaj të udhëtimeve në Connecticut ju sillni, jo vetëm shqiptarë dhe amerikanë, por u shërbeni klientëve nëpër botë me objektiv sjelljen e tyre në Shqipëri? Si po e shohin Shqipërinë së fundi shqiptarët e diasporës dhe të huajt?
Objektivi ynë është t’u shërbejmë klientëve në të gjithë botën. Në Amerikë, ishte e vështirë në 2017-2018. Ne nisëm të marrim pjesë nëpër panaire. Merrnim stenda për të treguar potencialin dhe destinacionin shqiptar dhe promovonim Hotel Adriatik. Amerikanët ishin të pa informuar për Shqipërinë, pasi nuk e dinin se ku ishte. Por, për të ngjallur interesin e tyre bëra paketa dhe për shtete të tjera, duke kaluar nga Shqipëria. Paketa përfshinte një natë në hotel Adriatik. Synoja t’u tregojmë çfarë shërbimi ofrojmë. Të kënaqur, e kanë pasuar fjalën tek qindra të tjerë. Ndërkohë kam ndihmuar shumë amerikanët që donin të jetonin në Shqipëri. Edhe sot, po vijnë shumë të huaj të jetojnë në Shqipëri.
Shqiptarët e diasporës dhe komuniteti në SHBA e shohin Shqipërinë si një vend të sigurt dhe tërheqës, ku mund të kalojnë pushimet apo të rikthehen për punë ose për pensionim. Shikoj që të gjitha komunitetet shqiptare janë të interesuar të rikthehen në Shqipëri. Po vjen koha e kthimit mbrapa në Shqipëri.
Vitin e kaluar, së bashku me disa personalitete shqiptare, jeni angazhuar të promovoni qëllimisht dhe madje keni ardhur në Shqipëri për këtë arsye, duke promovuar disa vende të Shqipërisë, kryesisht në veri. A mund të na thoni më shumë, si nisi kjo nismë, kush u përfshi dhe çfarë synoni?
Është një mision i imi që të promovoj Shqipërinë dhe jam munduar të sjell personalitete shqiptare dhe amerikane. Iniciativa e promovimit u lançua nga Fadil Berisha, i cili është një ndër ambasadorët më të fuqishëm shqiptar. Ai i ka mbështetur shqiptarët kudo që janë dhe është një ndër mbështetësit e parë për turizmin në Shqipëri. Është shumë interesante se si sot jemi bërë bashkë një pjesë e komunitetit shqiptar në Amerikë, për të promovuar fort Shqipërinë. Kemi projekte dhe plane interesante për këtë.
Kemi vënë re se jeni ndër të parët që keni folur për startupe në Shqipëri. Cili është qëndrimi juaj dhe a jeni aktualisht e angazhuar në ndonjë program, apo konsulencë?
Jam e angazhuar në programin që zhvillohet nga Qendra Kallz dhe drejtohet nga Albana Muçaj, mikeshë dhe një ndër bashkëpunëtoret e mia. Programi trajnon startupet dhe i bën pjesë të një konkursi ndërkombëtar, Women Startup Competition. Ka 3 vite që bëhet dhe jam e lumtur që jam pjesë e jurisë. Është një mision shumë i rëndësishëm për mua. E kam shumë për zemër dhe dua të ndihmoj gratë të kenë pavarësinë e tyre financiare. Duke u nisur nga vështirësitë që kam pasur vetë në botën e biznesit, ku rregullat i vendosin burrat, jam gjithnjë në krah të grave, për fuqizimin e tyre.
Kam ofruar mundësinë që të gjitha gratë dhe vajzat pjesëmarrëse në Women Startup Competition Albania të marrin zbritje 80 % nga çmimi zyrtar i programit të lidershipit, që mund të ndiqet online në Univeristetin e New Haven-it në Conecticut. Unë jam anëtare e bordit të programit të lidershipit të grave në Universitetin e New Haven-it dhe këtë arritje timen profesionale jam e lumtur ta ndaj me të rejat që duan të thellojnë njohuritë e tyre.
Mësimi është baza e gjithçkaje ku duhet ta nisë një sipërmarrëse femër. Kam pasur momente kur më është dashur të mësoj dhe të hap horizonte të reja para vetes. Këshilla që kam dhënë gjithmonë është: mëso rreth asaj që do të bësh dhe ke dëshirë të bësh. Të mësosh më tepër, të ndjekësh kurse. Unë vetë kam ndjekur para mbi 15 vjetësh kurse dhe trajnime të ndryshme në Amerikë, të cilat më kanë mundësuar të perfeksionoj dhe të bëj studime te avancuara për shitjet, për soft-skills etj. Ato më kanë shërbyer shumë për të menaxhuar bizneset e mia dhe për të shkuar përpara me karrierën time. Është shumë e rëndësishme dhe i ftoj të gjitha që duan të marrin pjesë në Women Startup Competition, të marrin pjesë në këtë kompeticion dhe të mos kenë frikë në sipërmarrje. Të provojnë të ndajnë idetë e tyre apo pasionin që kanë për të nisur një biznes të ri, sepse ka gjithmonë gra dhe vajza që do t’i ndihmojnë, ka gjithmonë institucione që do t’i ndihmojnë, ka gjithmonë mundësira, të cilat mund t’i shfrytëzojnë më shumë dhe të ndjekin atë që kanë dëshirë të bëjnë.
Duke parë nga një këndvështrim ndërkombëtar, meqë jetoni një pjesë të mirë të kohës në Amerikë, çfarë do sugjeronit për sipërmarrjet në vend dhe çfarë mendoni se mungon apo duhet ndryshuar?
Në fakt, kam hartuar një listë të tërë idesh që kam për të ndihmuar startup-et dhe sipërmarrjet shqiptare. Këtë listë e kam ndarë me Kryeministrinë me Këshilltarët e Kryeministrit dhe me personat që po hartojnë strategjitë e sipërmarrjes në Shqipëri. Mendoj që shumë nga ato ide mund të jenë innovative, të dobishme dhe konkrete për t’u implementuar. Startupet duhet të mbështeten, me grante dhe taksa më të ulëta krahasuar me bizneset e maturuara. Di që po zbatohen disa programe të tilla dhe inkurajoj të jenë më të qenësishme./ Businessmag