Nordic Invest Group ka shpallur tashmë thirrjet për interesin që ka Norvegjia dhe Suedia për infermierë dhe punonjës në sektorin e shëndetësisë.
Kreu i Nordic Invest Group Z. Bujar Zhuri sqaron se të gjithë të interesuarit mund të drejtohen në Invest Group në Tiranë ose të shkruajnë në emailin [email protected]. Sipas Zhurit ky do të jetë një proces i hapur komunikimi dhe do të merren në konsideratë të gjitha kërkesat që aplikantët kanë.
“Jemi në bashkëpunim me kompani rekrutimi në Norvegji dhe Suedi dhe janë kompani të cilat punojnë me institucione shtetërore në këto vende, ku edhe vlerësimi i diplomave kalon në procese zyrtare të diplomave dhe është një proces që nuk bëhet për një muaj, por mund të marrë edhe disa muaj nga kualifikimi i gjuhës e deri tek vlerësimi i diplomës apo praktikat shëndetësore.”- u shpreh Zhuri.
Pagat në këto vende janë joshëse, të cilat mund të shkojnë mbi 6000 euro në muaj.
Norvegjia dhe Suedia kanë hedhur sytë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi si një mundësi ku mund të thithnim një kontigjent të caktuar infermierësh apo mjekësh specializantë.
Aplikimet, interesi i lartë!
“Janë mbi 300 vetë të cilët kanë treguar interes në këtë fazë fillestare për të gjetur një vend pune si infermierë në Norvegji dhe Suedi. Fakti që interesi është rritur tregon se infermierët me origjinë shqiptare të cilët punojnë edhe në vende të tjera të perëndimit, në Gjermani apo në Itali, kanë shprehur interes për t’u shpërngulur në vende të tjera siç është Skandinavia ku janë potenciale dhe mundësi më të mira, qoftë të pagës, por edhe të kushteve të punës.” – është shprehur kreu i Nordic Invest Group.”
Faktorët përse infermierët po hedhin sytë nga vendet nordike
“Njëri faktor është paga që është shumë më e mirë. Faktori i dytë janë kushtet të cilat ofrojnë këto shtete që janë shumë më sociale sesa Gjermania apo Italia, ku nuk flitet vetëm për pozicionin e punës që merr një kandidat i cili do të vendoset në këto vende, por flitet dhe për stabilitetin e familjes së tyre, sidomos familjeve që kanë fëmijë të vegjël, të cilët duan t’i integrojnë nëpër shkolla apo në studime të cilat janë vërtet me kualitet dhe njëkohësisht kanë perspektivë punësimi.”- sqaron Zhuri.
Norvegjia kërkon të punësojë 7000 infermierë të përgjithshëm dhe të specializuar./ProBizz.al