Oliveta Restaurant është hapur rishtazi në kryeqytet duke sjellë një kuzhinë greke autentike në variant më modern. Për shijen unike të pjatave kujdesen dy chefa kuzhine, vëllezër me njëri-tjetrin. Në një intervistë për Probizz.al ata tregojne si arritën deri këtu, emigrimi në Greqi dhe vende të tjera dhe si kanë ndikuar këto eksperienca në kreativitetin e tyre në kulinari.
Kur niset shkollimin për kuzhinier dhe pse zgjodhet këtë profil?
Pas periudhës së gjimnazit, si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi është momenti që duhet të vendosësh çfarë drejtimi duhet të marrësh. Profesioni apo puna që zgjedh të bësh në një mënyrë a tjetër vendos se çfarë trajektoreje merr jeta jote. Ne si familje kemi emigruar herët, si i thonë shqiptarët “për një jetë më të mirë…”, ndërkohë jeta si emigrant duhet theksuar që është më e vështirë, më sfiduese. Unë dhe vëllai im Sifis, kemi rritur njëri-tjetrin. Ne kemi 4 vite diferencë e megjithatë kjo nuk na ka penguar që të jemi afër njëri-tjetrit. Prindërit e mi, të dy kanë punuar me orare të stërgjatura e që të vegjël shikonim emisione gatimi në tv dhe bënim drekën ose darkën, për vete po dhe që t’iu vinim në ndihmë prindërve. Aty ka qenë mendoj ajo shtysa e parë drejt kësaj rruge, për të dy ne. Si të thuash e kuptuam rëndësinë e të ushqyerit e pastaj me kohën deshëm ta kthenim në artin tonë. Nuk nisa studimet, 5 vite shkollim më dukeshin shumë gjatë e më pas kam menduar se një profesion i caktuar që të jep universiteti të kushtëzon. Nuk të lë të shikosh deri ku arrin ti me veten tënde. E nisa shkollën e kuzhinës për dy arsye. Rrugën për sukses mendoja që njeriu e sjell vetë drejt vetes, pra suksesi nuk ndodh aksidentalisht. Dëshira ishte të kisha biznesin tim, me emrin tim, qoftë edhe një fast food. Mjafton të isha në vendin tim duke punuar për veten dhe familjen time si të thuash. Pastaj gjërat rrodhën dhe sot jam këtu. Arsyeja tjetër ishte që prindërit e mi të ktheheshin në vendin e tyre, e kam parë gjithmonë në sytë e tyre mallin për atdheun, për Shqipërinë… Të zgjedhësh profesionin për tu bërë kuzhinier nuk është e thjeshtë. Kuzhinierët janë ‘superheronj’. Në kohën që gjithë njerëzit e tjerë festojnë ditëlindjet, krishtlindjet, vitin e ri apo dhe pushime verore, kuzhinierët janë personat ‘e padukshëm’ që gatuajnë që njerëzit e tjerë të marrin lumturi nëpërmjet ushqimit. Në temperatura të larta, në festa zyrtare e jo zyrtare, kuzhinierët punojnë dhe janë në shërbim të njerëzve, si të thuash, një kuzhiner fluksin e punës e ka në ditët kur njerëzit janë pushim apo kanë festa.
Sa ka ndikuar Greqia dhe tradita e kulinarisë atje në kreativitetin tënd në kuzhinë?
Ka patur ndikim të konsiderueshëm, bazat e kuzhinës i kam marrë në Greqi. Duke filluar që nga shkollimi, puna me shefat më të mëdhenj grekë në restorante Michelin. Pastaj sigurisht që udhëtimi dhe puna nëpër restorante të mëdha të vendeve të ndryshme si Londër, Arabi Saudite, Bahrain etj kanë ndikuar. Edhe kam dhënë nga kulinaria greke në këto vende por dhe kam marrë nga kulinaria e tyre, qoftë ide për të krijuar pjatat, qoftë edhe për të marketuar punën apo për të kuptuar më shumë klientët. Mendoj se njeriu sa më shumë të njohë dhe zbulojë gjëra të reja aq më shumë nis e bëhet kreativ, sidomos kur puna lidhet drejtëpërdrejt me klientin. Merr feedback-e të ndryshëm, dhe gjithmonë ke sfidën përpara se si të përmirësohem ose të përmirësoj punën time. Kuzhina është shumë e bukur. Ushqimi nuk gatuhet asnjëherë njëlloj nga duar të ndryshme pavarësisht ingredientëve të njëjtë. Këtu mendoj unë se është sekreti apo ajo që na diferencon. Dora, dëshira, pasioni apo energjia që ti i jep një pjate të caktuar.
Çfarë të shtyu të ktheheshe në Shqipëri për të investuar në një restorant ?
Për mua Shqipëria është zemra e Europës. E kam patur qëllim gjithmonë kthimin në Shqipëri. E shoh investim për vendin tim dhe për veten time. E dua Shqipërinë shumë. Verën në Shqipëri e kam kaluar gjithmonë me familjen dhe e kam ditur që i përkas këtij vendi. Edhe në Greqi e kam patur mundësinë për të hapur restorantin tim. Kam njohje pafund atje dhe ndoshta gjërat do i kisha pak më të thjeshta se këtu. Ndoshta dhe ndikimi i prindërve, dëshira e madhe e tyre për tu kthyer në Shqipëri dhe për tu investuar këtu ka ndikuar. Mendoj se Shqipëria në këto momente ka marrë zhvillim të madh edhe turizmi gjithashtu. Për botën me aq sa kam parë dhe vënë re unë, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë imazh shumë të mirë, ndërkohë që e vërteta është ndryshe. Është vend i bukur, ka turizëm malor dhe bregdetar. Shqiptarët janë njerëz të ngrohtë, mikpritës shumë. Shqipëria ka vende të bukura pafund, mendoj se ka nevojë për investim nga rinia në mënyrë që gjithë bota të na njohë më shumë se kush jemi dhe si funksionojmë në të vërtetë dhe mos i besohet kaq shumë ‘marketingut negativ’ që i është bërë vendit tonë ndër vite.
A ka sjellë risi Oliveta Restaurant në gastronomi?
Oliveta ka sjellë kuzhinën greke autentike në Shqipëri, në një mënyrë pak më moderne. Unë dhe vëllai im jemi shefa kuzhine dhe gjithë backgroundin tonë duam ta shfaqim në vendin tonë nëpërmjet Olivetës. Shumica e restoranteve në Shqipëri kam vënë re që janë të fokusuar në një lloj gatimi lidhur me llojin e pjatave që sjellin. Oliveta nuk sjell thjesht crudo dhe makarona fruta deti. Me Olivetën besoj që kemi sjellë shijen e kuzhinës mesdhetare greke miksuar me atë “viben” e Greqisë si vend.
Duke qenë se në Shqipëri turizmi ka marr një hov të madh , si e shikoni të ardhmen tuaj këtu sigurisht duke e lidhur me kuzhinën?
Ne jemi restorant i ri në tregun shqiptar. Kemi pak muaj që jemi hapur. Sigurisht që jam dakord me hovin që ka marr turizmi në Shqipëri sidomos gjatë verës. Një përqindje e madhe e klientëve tanë janë të huaj dhe feedback -u që kam marrë prej tyre është i mrekullueshëm si për restorantin tonë (këtë mund ta shikoni në Google Revieës) ashtu edhe për Shqipërinë. Janë edhe besnikë si klientë, vijnë përsëri e përsëri sa kohë qëndrojnë në Shqipëri. Nuk dua të flas shumë për të ardhmen, dua të flasë puna ime. Po patjetër që vizioni është të rritemi si biznes dhe të zgjerohemi edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.