Spektakli më i ri në ekranin e ‘ABC News’ është ‘Kosherja’. Ai ka mbledhur disa nga aktorët më të mirë të humorit në vend. Olsi Bylyku ishte një ndër emrat e diskutuar për të marrë pjesë aty, por ai zgjodhi të vazhdojë punën e tij në ‘Klanifornia’.
I ftuar në emisionin ‘ExPuls’ në ‘Ora News’, Olsi tregoi se ka pasur një arsye shumë të fortë se pse e refuzoi ofertën e spektaklit të ri të humorit.
“Po më ka ardhur ofertë, por nuk e pranova, sepse mendova që është një kosto për mua në lidhje me stabilitetin artistik. Kam pasur 6 vite karrierë dhe unë kam ndërruar 3 emisione. Sigurisht që është kënaqësi të punosh me Altin Bashën, Bes Kallakun dhe gjithë aktorët e Kosheres, por e gjithë kjo u bë për shkak të stabilitetit tim artistik, që për mendimin tim në 6 vite të ndërrosh 3 emisione nuk krijon një stabilitet se ku të shohin njerëzit ty vazhdimisht. Kështu që mendova që do mbarojë një cikël, ose ndoshta ai cikël nuk do vijë kurrë, sepse mund të jem gjithmonë në Klanifornia, por në një të ardhme sigurisht të gjitha ofertat janë të pranueshme, për sa kohë ne jemi kthyer si futbollistët. Unë kam pasur ofertë edhe nga ‘Portokallia’ kur kam qenë në Klan, por sapo kisha shkuar në Klan dhe sigurisht lëvizja ishte e pamundur”,-tregoi ai duke shtuar se oferta e ‘Kosheres’ ishte goxha e majme./ProBizz.al/