Emiliano Mankolli nga AI Hub Albania sqaron ekskluzivisht për Probizz.al sistemin me agjentë të specializuar për legjislacionin shqiptar dhe atë të BE-së

Probizz.al: Si ju lindi ideja për projektin e AI në gjykata dhe çfarë përfshin konkretisht?
Emiliano Mankolli: Interesi lindi nga puna me dokumente ligjore ku pamë se sa shumë kohë merr interpretimi i një neni në raport me ligje të tjera. Kjo tregoi qartë rolin që AI mund të ketë në këtë fushë, duke bashkuar ekspertizën tonë në modelet gjuhësore me boshllëqet që ekzistojnë në aplikimet ligjore në Shqipëri . Nga kjo u konceptua “Deputeti AI”, një sistem me agjentë të specializuar sipas bazave të njohurive. Aktualisht kemi agjentë të trajnuar mbi Kushtetutën dhe mbi Kodin Penal, Civil dhe të Punës, ndërsa po punojmë për përfshirjen e kodeve të tjera. Orkestruesi inteligjent krijon një “komision ligjor virtual” që i bashkon këta agjentë sipas pyetjes dhe lejon analiza të ndërthurura, p.sh. krahasime mes ligjeve shqiptare dhe atyre të BE . Sistemi është transparent: çdo përgjigje është e gjurmueshme mbi nene dhe ligje konkrete . Teknikisht, zemra e tij është një algoritëm grafik me multi-hop reasoning që lidh nene dhe ligje për të ndjekur zinxhirin logjik të referencave, duke minimizuar rrezikun e halucinacioneve .
Probizz.al: Sa i ka mundësitë Shqipëria që ta implementojë siç duhet në sistemin tonë gjyqësor? A do të vihet në zbatim vetëm në një gjykatë apo në të gjitha gjykatat e vendit?
Emiliano Mankolli: Sistemi është menduar të ndihmojë segmentet kryesore të ekosistemit ligjor: ligjvënësit dhe komisionet parlamentare për citime, krahasime dhe draftime; juristët për akses të shpejtë dhe interpretim; si dhe gjykatat për të ulur ngarkesën e rasteve rutinë ku mungesa e kapaciteteve njerëzore zgjat proceset . Projekti është vetëfinancuar nga AI Hub Albania dhe kemi ngritur një mini data center, por zgjerimi kërkon bashkëpunime me ekspertë ligjorë dhe mbështetje institucionale e financiare. Kjo do të përcaktojë edhe ritmin e adoptimit në gjykata . Në planin e lancimit parashikohen kategori përdoruesish si publik i gjerë, ekspertë ligjorë dhe komisione parlamentare, me fokus mbledhjen e feedback-ut për përmirësim të vazhdueshëm. Kjo e bën të mundur ta pilotojmë dhe më pas ta shtrijmë ku ka bashkëpunim dhe nevojë.
Probizz.al: A mund të garantojë një agjent i AI interpretim të duhur të ligjeve, që të shmanget ndonjë gabim i mundshëm?
Emiliano Mankolli: Sistemi rrit shumë saktësinë dhe besueshmërinë përmes dy shtyllave: reasoning me shumë hapa mbi një graf referencash ligjore dhe transparencë totale mbi burimet. Kjo ul ndjeshëm rrezikun e hallucinacioneve dhe lejon verifikim nga përdoruesi, i cili sheh nenet dhe ligjet mbi të cilat ndërtohet përgjigjia . Megjithatë, AI nuk zëvendëson juristët. Roli i tij është t’i fuqizojë me mjete më të shpejta e më të sakta, ndërsa vendimi dhe interpretimi përfundimtar mbeten njerëzorë.
Probizz.al: Mund të quhet ky projekti më i rëndësishëm që keni patur deri më tani? Cilat janë, nëse ka patur të tjera?
Emiliano Mankolli: Ky projekt është veçanërisisht i rëndësishëm dhe sfidues nga pikëpamja teknike, sepse kërkon interpretimin e gjuhës njerëzore në një fushë ku nuancat e të shprehurit bëjnë diferencë të madhe në kuptim dhe vendimmarrje ligjore. Sfida shtohet edhe më shumë nga fakti që modelet duhet të funksionojnë në gjuhën shqipe, një gjuhë me më pak burime krahasuar me anglishten, prandaj kërkon trajnime të kujdesshme, kurim të të dhënave dhe mekanizma të fortë verifikimi të përgjigjeve.
Në karrierën time kam pasur mundësi të punoj me projekte të ndryshme, por nëse do duhej të zgjidhja ato me më shumë impakt do veçoja dy projekte të rëndësishme. I pari ishte një zgjidhje me computer vision për menaxhimin dhe optimizimin e procesit të shkarkimit të kontenierëve, e implementuar me sukses në disa shtete të SHBA, ku u arritën ulje e kohëve të pritjes dhe rritje e efikasitetit operacional. I dyti ishte një projekt mjaft interesant në rekrutim, ku pata mundësi të aplikoj disa nga algoritmet që zhvillova gjatë studimeve të doktoraturës në një platformë suedeze rekrutimi. Kjo platformë është trefishuar në volum dhe është zgjeruar në tregun global, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e vlerësimit dhe shpejtësinë e përzgjedhjes së kandidatëve.

Rreth Emiliano Mankolli
Kam përfunduar Bachelor dhe Master në Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës në vitet 2012 dhe 2014. Në mars 2024 kam mbrojtur doktoraturën në Akademinë e Shkencave në Sofje me temë “Optimization Methods for Machine Learning Applications” dhe kam marrë titullin PhD. Në vitin 2014 kam filluar punën si pedagog në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, ndërsa më pas kam kaluar në industri ku eksperienca e parë ka qenë ndërtimi i një algoritmi inteligjent për optimizimin e fushatave të reklamimit. Prej vitit 2019 kam drejtuar ekipin e Data Science dhe AI në Ritech International AG, ku jam marrë kryesisht me projektin e computer vision për menaxhimin dhe optimizimin e shkarkimit të kontenierëve. Zhvillimet në NLP dhe aplikimet e AI për rekrutim i kam bërë gjatë kërkimit tim të doktoraturës dhe më pas janë implementuar në Proxify, ku për një periudhë kam shërbyer si R&D Consultant. Jam bashkëthemelues i AI Hub Albania, me një ekip të brendshëm prej 11 personash dhe iniciativën “Community Creates” për ndërtimin e produkteve të AI për komunitetin dhe institucionet, ku bën pjesë edhe “Deputeti AI”.












