Qeveria e Kosovës në mbledhjen e ditës së sotme ka miratuar projektligjin që e cakton pagën minimale në vlerë prej 250 euro neto apo 264 euro bruto.
Me këtë vendim ora e punës do të bëhet në vlerë 1.5 euro.
Është miratuar edhe ndryshimi i shkallës tatimore, që parasheh që të gjitha pagat të mos tatohen në 250-euroshin e parë.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se pavarësisht sa është lartësia e pagës, për pjesën e 250 eurove nuk do të ketë tatim në pagë.
Ndërkaq, ministri Financave, Hekuran Murati në arsyetim të propozimit ka bërë të ditur se do të duhet të ndryshohen edhe ligjet që ndërlidhen me pagën minimale.
“Projektligji në fjalë e ka për qëllim që të plotësojë dhe ndryshojë ligjet të cilat lidhen me shumën e benificioneve ose kompensimeve në pagën minimale si dhe të ndryshojë shkallën tatimore në të ardhurat personale dhe të ndryshojë procedurën e vendosjes së pagës minimale. Me miratimin e këtij projektligji paga minimale do të shërbejë vetëm për të rritur pagën e punëtorëve me pagë të ulët ”, u shpreh Z. Murati.
Burimi: Kosova 24