Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së mbajtur në Samitin Rajonal të Ballkanit Perëndimor me BE për ecurinë pozitive të Planit të Ri të Rritjes ekonomike dhe hapat në vijim për zbatimin e tij që po zhvillohet në Kotorr, Mali i Zi falënderoi komisionerin Varhelyi dhe Komisionin që ka ofruar një platformë dialogu të mirëfilltë miqësor.
Kreu i qeverisë shqiptare deklaroi “Së pari, na duhet të punojmë mbi mundësinë e Planit të rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët që është shtylla e parë e planit. Ka ardhur koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit digjital evropian. Individualisht, ne i kemi përfshirë si objektiva në planin tonë të reformave e synojmë të jemi gati në 2027. Presim që Komisioni të finalizojë Udhërrëfyesin që të kemi një shteg të qartë përcaktuar përpara, bazuar sigurisht mbi praktikat e rregulloreve evropiane.
Më tej ai tha “Do të përgëzoja po kështu punën e Komitetit të transportit dhe CEFTA-s në përgatitjen e udhërrëfyesit dhe lehtësimin e tregtisë dhe transportit midis Ballkanit Perëndimor dhe shteteve kufitare të BE-së. Ka vetëm 10 pika kufitare ku mbi 80% e tregtisë dhe qarkullimit të ngarkesave me BE-në kalon. Modernizimi i këtyre pikave do të jetë në përfitim, jo vetëm të rajonit, por edhe ë BE-së duke qenë se është partneri kryesor tregtar i rajonit. Ky udhërrëfyes do të ofrojë bazën për zbatimin e projektit 2.0 të lehtësimit të transportit të rajonit, duke i bërë korsitë e gjelbra me shtetet anëtare te BE një realitet.
Në të njëjtën frymë, bashkëpunimi më i fortë është i nevojshëm në fushën e migracionit, trafikimit të qenieve njerëzore, jo vetëm midis nesh në rajon, por edhe midis rajonit dhe BE dhe është në fakt koha e duhur dhe në përputhje me konceptin gjithëpërfshirës të sigurisë të BE.
Së dyti, na duhet që të përshijmë logjikën e integrimit me fazanëtregun e përbashkët dhe në fusha të tjera të integrimit në BE”.