Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në Ballkanin Perëndimor prezantoi gjetjet e raportit Treguesit e nivelit të lirisë së mediave dhe sigurisë së gazetarëve në Shqipëri 2020.
Për sa i përket sigurisë së gazetarëve, ashtu si me tendencat e tjera në rajon, sulmet ndaj lirisë së medias rrezikojnë të bëhen një normalitet i ri në Shqipëri. Që nga qershori i vitit 2020, statistikat e sigurisë dhe pandëshkueshmërisë ndaj gazetarëve që janë publikuar edhe në Rrjetin e Gazetarëve të Sigurt arrijnë një total prej 17 rastesh.
Janë identifikuar disa raste si kërcënim për punën e pavarur të gazetarëve në Shqipëri përmes ngritjes së proceseve gjyqësore kundër gazetarëve, veçanërisht gazetarëve investigativë.
Paditë SLAPP (Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike) po bëhen të shpeshta në mediat shqiptare si mekanizëm për të censuruar, kërcënuar apo për të bërë të heshtin media të pavarura, gazetarë investigativë dhe kritikë duke iu ngarkuar atyre koston e mbrojtjes ligjore derisa të detyrohen braktisin investigimet apo kritikat.
Siguria e gazetarëve për të aksesuar dhe mbajtur kontaktet me burimet e informacionit bëhet më e vështirë nga problemet në përgjithësi me sigurinë e gazetarëve dhe kushtet e tyre të punës. Gazetarët që mbulojnë krimin e organizuar dhe gazetarët investigativë hasin më shumë vështirësi gjatë kërkimit të aksesit dhe mbajtjes së kontakteve me burimet e informacionit.
Liria e shprehjes është e garantuar, por nuk ka ligje të veçanta për sigurinë e gazetarëve dhe shteti Shqiptar nuk arrin t’u jap gazetarëve vazhdimisht mbrojtjen e plotë ligjore dhe gjyqësore në mënyrë që t’u krijojnë një mjedis të përshtatshëm për punën e tyre në gazetari. Institucioneve shtetërore u mungojnë burimet dhe kapacitetet për të mbrojtur gazetarët në hapësirën online dhe në terren. Institucionet në Shqipëri nuk publikojnë të dhëna specifike dhe të vazhdueshme në lidhje me sulmet ndaj gazetarëve dhe pandëshkueshmërinë e tyre. Mungojnë njësi të veçanta brenda institucioneve të sistemit të drejtësisë civile që të merren në mënyrë të fokusuar me hetimet dhe ndjekjen penale të kërcënimeve dhe akteve të dhunës ndaj gazetarëve, përfshirë dhe ato online.
E drejta e punës e gazetarëve në Shqipëri u vështirësua edhe më tej në vitin 2020 për shkak të pandemisë COVID-19 dhe vështirësive ekonomike të mediave. Gazetarët e mediave online raportohen më shpesh se punojnë në të zezë (pa kontrata pune) dhe në kushte anonimati. Shkelja e të drejtës së autorit është një problem i madh edhe në mediat audiovizive, ajo shkruara dhe ato online.
Censura dhe vetëcensura janë ende të pranishme në mjedisin mediatik shqiptar. Mediat online janë më të larmishme. Ato janë në hapat e parë dhe në disa raste drejtohen nga gazetarë profesionistë, të cilët u japin më shumë liri gazetarëve për të raportuar histori nga këndvështrime të ndryshme. Të bllokuar mes interesave ekonomike të pronarëve dhe marrëdhënieve me qeverinë, gazetarët shpesh vendosin të mos e lëkundin varkën. Kjo klimë prodhon shumë vetëcensurë, duke pasur parasysh që përpjekjet e gazetarëve për t’u gërmuar më shumë mund të çojnë në humbjen e vendit të punës.
Media e pavarur në vend përballet me presione, kërcënime dhe rreziqe të formave të ndryshme dhe kanë nevojë për mbështetje për t’i dalë kundër pushtetit abuziv. Reporterët kanë fare pak siguri në punë dhe mbeten pre e proceseve gjyqësore, kërcënimeve dhe sulmeve të herëpashershme fizike nga ata që vihen nën lupën e mediave.
Ndër rekomandimet për mbrojtjen ligjore të gazetarëve janë si më poshtë:
- Të sigurohet zbatimi i plotë i garancive ligjore për lirinë e shprehjes dhe të medias si dhe të ofrohet një mjedis mediatik mundësues në përputhje me standardet ndërkombëtare;
- Të rishikohet legjislacioni për mediat për ta sjellë atë plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare për lirinë e shprehjes, veçanërisht në lidhje me mediat online;
- Të sigurohet transparenca e reklamave publike dhe shtetërore;
- Të përmirësohet transparenca për pronësinë e mediave;
- Të krijohen dhe përmirësohen mekanizmat vetërregullues me kapacitete ekzekutive;
- Të krijohet një sindikatë në Transmetuesin e Shërbimit Publik
Rekomandimet për pozicionin e gazetarëve në redaksinë e lajmeve:
- Të forcohet zbatimi i vendimeve të Komisionerit për të Drejtën e Informimit/Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi;
- Të përmirësohet barazia gjinore në redaksi;
- Të mbrohen anëtarët e komunitetit LGBTQ dhe të pakicave të tjera.
Rekomandime për sigurinë e gazetarëve:
- Të zbatohet një politikë e tolerancës zero për kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, si dhe për kërcënimet ndaj medias, përfshirë këtu edhe në debatin politik;
- Të ofrohet mbrojtje dhe hapësirë e sigurt për gazetarët;
- Të zbatohet Kodi i Punës dhe të forcohet mbrojtja e të drejtave të punës dhe sigurimeve shoqërore për gazetarët në Shqipëri;
- Të mblidhen dhe botohen të dhëna të rregullta për sigurinë e gazetarëve, për kushtet e punës dhe çështje të tjera të lidhura me to.
Ky është viti i pestë radhazi që shoqatat e gazetarëve nga vendet e Ballkanit Perëndimor (Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia, Mali i Zi, Kosova dhe Serbia), me mbështetjen e Komisionit Evropian, monitoruan zhvillimin e lirisë së medias dhe sigurinë e gazetarëve në vendet e tyre. Në vitin 2020 në këto vlerësime u përfshinë edhe dy vende të tjera – Shqipëria dhe Kroacia. Metodologjia e hulumtimit e zhvilluar në 2016 u përpunua edhe më tej gjatë këtyre viteve për të standardizuar mbledhjen dhe analizimin e të dhënave dhe për të përshtatur fokusin e kërkimit drejt zhvillimeve në mjedisin e mediave tradicionale dhe atyre online në vendet e Ballkanit Perëndimor. Bazuar në këtë instrument të standardizuar hulumtim, shoqatat e gazetarëve vlerësuan zhvillimet më të reja në vendet e tyre dhe u angazhuan në aktivitete të ndryshme advokimi për të përmirësuar mjedisin politik, legjislativ dhe institucional në të cilin punojnë gazetarët dhe media.
BURIMI :/safejournalists.net/