Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Shoqatën Shqiptare të Bankave, çeli punimet e konferencës vjetore me temë “Roli i bankës qendrore dhe sistemit bankar në rrugën drejt BE-së”. E organizuar nën kujdesin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe Presidentit të Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella, në konferencë morën pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore; përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë; përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim; të rretheve akademike në vend; përfaqësues të sistemit bankar e financiar; përfaqësues të medias; si dhe ekspertë të Bankës së Shqipërisë.
E konceptuar në tre sesione, punimet e konferencës u përshëndetën nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Presidenti i Shoqatës Shqiptare të Bankave, z. Bledar Shella; Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, z. Eduard Shalsi; Ministri i Shtetit dhe Kryenegociatori, zj. Majlinda Dhuka; dhe Ministri i Financave, z. Petrit Malaj.
Në fjalën e tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë u shpreh se kryefjala afatgjatë e vitit 2024 do të mbetet “dhënia e dritës jeshile” dhe fillimi në muajin tetor i procesit zyrtar të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Z. Bledar Shella, President i Shoqatës Shqiptare të Bankave përshëndeti të pranishmit, duke theksuar se ky është një moment historik pasi Shqipëria, asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq afër sa tani me atë pjesë të civilizimit, ekonomisë avangardë dhe shoqërisë së lirë, ku pozicioni ynë gjeografik na ka vendosur. Ai u shpreh se veprimtaria bankare, e cila prej disa vitesh, në fakt, është duke iu përshtatur ndryshimeve rregullative në përputhje me standardet e BE-së, nuk vjen në këtë territor e zbrazët. Tashmë edhe qëndrimet dhe oponenca ndaj ndryshimeve udhëhiqen plotësisht nga fakti nëse këto ndryshime janë në përputhje me standardet e BE-së apo jo. Kjo na ka bërë të provojmë më shpejt barrën e ngarkesës dhe të përgjegjësisë për t’i shkuar këtij procesi pa rezistencë, por me dëshirë, me energji dhe besim.
Sesionet e konferencës trajtuan sfidat dhe mundësitë me të cilat përballet Shqipëria në procesin e përafrimit të politikës monetare dhe politikave të tjera me standardet e BE-së, si dhe transformimin digjital të sektorit bankar dhe sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u ndalur në rolin e bankingut digjital në nxitjen e rritjes ekonomike
Një sesion i veçantë, Paneli i Guvernatorëve mblodhi në tryezë diskutimi: Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko; Guvernatoren e Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, zj. Anita Angelovska Bezhoska; Guvernatorin e Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, z. Ahmet Ismaili; Zëvendësguvernatorin e Bankës Qendrore të Malit të Zi, z. Nikola Fabris. Ky panel përqendroi diskutimet në shkëmbimin e pikëpamjeve dhe përvojave të bankave qendrore në ndërtimin e rrjeteve efektive institucionale për një integrim të suksesshëm në BE.