Së fundmi ka nisur një trend i ri i pushimeve verore. Shumë vizitorë nga vende të ndryshme të botës zgjedhin që këtë sezon ta kalojnë në vende malore kryesisht në veri të Shqipërisë. Ekspertët e zhvillimit rural thonë se turistët preferojnë të bëjnë hiking, të kryejnë procese bujqësore ose ndonjë angazhim tjetër në njësitë agroturistike. Deri tani në vendin tonë një pjesë e madhe e tyre janë të çertifikuara ndërsa të tjerat janë në proces.
Fabjola Arapi, eksperte e zhvillimit rural dhe Agroturizmit thotë se turistët kanë interes për natyrën, kulinarinë, traditën etj.
“Në këtë sezon, duke filluar nga periudha e prillit e deri në fillim të shtatorit të gjitha sipërmarrjet turistike kanë mbyllur pothuajse të gjitha rezervimet booking, për shkak të kërkesave të larta të turistëve të huaj. Interesi është jo vetëm për të fjetur, por ndryshe nga vitet e tjera kërkojnë edhe angazhim në sipërmarrje, kërkojnë të jenë pjesë e një turi edukues në kulinari, apo të bëjnë hiking, të marrin pjesë në procese bujqësore, blegtorale dhe kjo është vënë re dukshëm nga këto sipërmarrës. Mendoj që ka nisur shumë mire dhe deri nga shtatori do fillojë e njëjta situatë e pastaj tetori, nëntori ofrojnë aspekte të ndryshme dhe turistët gjithashtu janë fokusuar tek verërat“- shprehet Arapi.
Cilat janë njësitë më të kërkuara të agroturizmit?
“Më i kërkuar vazhdon mbetet veriu, për shkak se jugu i Shqipërisë është më tepër pjesë e detit. Duke iu larguar detit turistët kërkojnë atraksione që kanë të bëjnë kryesisht me pjesën e Alpeve, që janë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me pjesën e agroturizmit, ku vërehet që ata kërkojnë hiking, ushqime të shëndetshme, ndaj më tepër është i kërkuar veriu i Shqipërisë. Ne nga kontakti që kemi patur me anëtarët e shoqatës mësojmë se ka pasur një bum rezervimesh. Kërkesa mbetet shumë e lartë në krahasim me ofertën sepse dihet që njësitë agroturistike nuk kanë kapacitete akomoduese të mjaftueshme për të pritur këtë numër turistësh, kështu që ata përpiqen të shkëmbejnë tek njëri-tjetri, sugjerojnë fjetjen në hotelet e qytetit pastaj rikthimi në fshat edhe angazhimi në fermë, apo duke konsumuar produkte tipike të zonës. Në fakt oferta shumë më e lartë se çfarë ofron gjithë sektori”, thotë ekspertja.
Një pjesë e madhe e sipërmarrjeve në fushën e agroturizmit tashmë janë të çertifikuara, por ka ende shumë të tjera që nuk e kanë kaluar një proces të tillë.
“Aktualisht të çertifikuar kemi 27, të pacertifikuar kemi 32 dhe potencialet janë shumë më të mëdha. Vërehet dukshëm rritja e tyre dhe po të shikosh janë 290 njësi agroturistike jo të formalizuara. Kështu që shikohet shumë interesi sidomos nga të rinjtë që duan të rikthehen në Shqipëri të bëjnë investime, por edhe të rinjtë që aktualisht punojnë këtu në sektorë të tjerë. Realisht është krijuar njëlloj fryme që është për t’u vlerësuar, sepse agroturizmi përveç se rivitalizon zonat rurale është e lidhur ngushtësisht dhe me bujqësinë. Me vreshtat, me kultivaret e ndryshëm të frutave apo qoftë dhe me pjesën blegtorale, kështu që patjetër shikohet me optimizëm rritja e këtyre njësive”.
Vizitorët që frekuentojnë këto subjekte turistike janë nga vende të ndryshme të botës. Ata mbeten të mahnitur.