Sektori i bujqësisë do të ketë më shumë mundësi dhe buxhet financimi. Bashkimi Europian ka rritur angazhimin ndaj bujqësisë shqiptare duke miratuar në Bruksel buxhetin për Programin IPARD 3. Një buxhet që shkon në 112 milionë euro, 56% më shumë se buxheti i vënë në dispozicon në Programin IPARD II. Së bashku me financimin e Qeverisë Shqiptare prej 34 milionë euro, e çon këtë program në një total prej 146 milion euro mbështetje për bujqësinë dhe zhvillimin e zonave rurale në Shqipëri. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, tha se në Programin IPARD III po ecet drejt akreditimit për 9 masa financimi duke e zhvilluar më tej këtë program në përputhje me objektivat e qeverisë për zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme dhe të përafruar me politikat e Bashkimit Europian duke e bërë kështu Shqipërinë ndër pak vende në rajon që adoptojnë 9 masa financimi për këtë program.
Buxheti prej 146 milion euro i IPARD III përpos katër masave ekzistuese të investimeve në fermë, agropërpunim, diversifikim të fermës dhe asistencë teknike do të financojë dhe 5 masa të reja të cilat ndihmojnë Shqipërinë të përmbushë angazhimin e marrë në deklaratën e Sofjes për Axhëndën e Gjelbër në Ballkanin Perëndimor.
Në një intervistë për Klan News Drejtoresha e AZHBR Znj. Eranda Selmanaj ka sqaruar më tej detajet e programit duke theksuar se ky është financimi më i madh.
“Kjo është mbështetja më e madhe dhe financimi më i madh që ka pasur ndonjëherë për bujqësinë shqiptare dhe është buxheti i alokuar që ju e përmendët dhe është 56% më shumë se programi IPARD 2. Akuakultura është e përfshirë në program nga fermat e rritjes së peshkut, gjithashtu dhe në përpunim, tregtim, paketimin e progukteve bujqësore. Është një sektor që ka shumë potencial dhe zë një peshë të madhe në eksportet e produkteve të peshkimit në Shqipëri. Kështu që ky program ka fokus edhe sektorin e akuakulturës dhe peshkimit. Pra, edhe fermat e rritjes së peshkut, edhe përpunim, tregtim deri në daljen në treg dhe në eksporte.Nga thirrja e fundit që kishim të programit IPARD 2, kemi pasur kërkesë shumë herë, rreth 5-fish më shumë sesa buxheti i alokuar dhe ne në rast se kemi më shumë aplikime se buxheti, aplikojmë kriter renditje me pikë. Pra, ata që nuk do të munden të futen tashmë në IPARD 2 sepse është përfundimi i programit, në IPARD 3 mezi kanë pritur. Nga takimi që kemi pasur dhe aktiviteti i lancimit të programit IPARD 3, shumë nga aplikantët potencialë prezentë, ose përfitues të mëparshëm të IPARD-it mezi po prisnin hapjen e IPARD 3 që të vazhdonin të investonin dhe të shtojnë aktivitetin, edhe prodhiin edhe standardet e aktivitetit të tyre bujqësor.”- thekson drejtoresha AZHBR-së.
Janë disa masa që janë parashikuar në bllok.
“Fillon masa e investimeve në fermë, që është masa e parë më pas kemi masën e investimit në asete për përpunim, tregtim dhe marketimin e produkteve bujqësore, blegtorale dhe ato të peshkimit, më pas kemi diversifikimin e fermës dhe zhvillimi i biznesit, kemi masën e asistencës teknike, ky është blloku i parë i katër masave që tashmë i kemi të akredituara, më pas kemi masat agromjedisore dhe prodhimi organik dhe kemi masën e punësimit, edhe kjo është një masë e re. gjithashtu kemi masën e infrasktrukturës rurale, që lidhet me investimet në zonat rurale, për rrugë, infrastrukturë apo cfarë ka nevojë komuniteti lokal. Kemi masën e shërbimeve këshillimore. Gjithashtu, kemi edhe masen e qasjes lider, që kjo është një masë e re por shumë e rëndësishme pasi në vendet e BE ka pasur një impakt shumë të madh. Të gjitha masat e reja, financojnë 100% me grant projektet e miratuar, që nderkohë, masat ekzistuese i kemi pasur me financimin publik privat. Është shumë e rëndësishme të shpjegohet që këto masa mbështetëse janë të përcaktuara nga BE. Pra, ka një listë masash mbështetëse, por zhvillimi i programit, ose hartimi i programit fillon nga studimet sektoriale.“ – thekson Selmanaj.
Sipas përllogaritjeve nga ky buxhet pritet të përfitojnë afro 1300 persona. Brenda këtij viti pritet që të çelet thirrja e parë e programit IPARD III.