Shqipëria po performon suksesshëm në turizëm, edhe për shkak të produkteve autentike shqiptare. Chocoalb është një prej tyre, me shijen unike ku integrohen prodhime bio nga 10 qytete turistike të vendit. Bashkë me ëmbëlsinë është një produkt që ngre lart Shqipërinë sa i përket artit kulinar. Në një intervistë për Probizz.al Alma Gërxhani, administratorja e Chocoalb zbulon se si kanë arritur ti përgjigjen kërkesave në treg dhe veçantitë e produktit.

Si ju lindi ideja për të sjellë Chocoalb?
Unë dhe bashkëshorti, kemi një eksperiencë të gjatë në turizëm duke ofruar paketa turistike për të huajt që vizitojnë Shqipërinë, por edhe konsulencë për promovimin e destinacioneve dhe përmirësimin e produktit turistik. Gjatë pandemisë hapëm dhe një e-commerce për promovimin dhe tregtimin e produkteve shqiptare www.blishqip.al
Kishim kuptuar që na mungonte një produkt yni që të ishte unik dhe i përshtatshëm si produkt turistik. Gjatë një udhëtimi në Portugali, nga një pako e vogël çokollatash me simbolet e Portugalisë na lindi ideja të bëjmë dhe ne një pako me shije dhe simbole shqiptare.
Bëmë kërkime në internet për çokollatën dhe mësuam që kishte patur një iniciativë për çokollatën e Tiranës nga Dhurata Thanasi dhe Ilir Hysaj çokolatier. U vumë në kontakt me ta dhe i ftuam të bëjmë së bashku çokollatën “Taste of Albania”.
Zgjodhëm 10 qytetet/rajonet më turistike dhe nga një shije unike përfaqësuese dhe prodhuam 10 pralina unike. Kështu Tirana është me vajin e ullirit të Ndroqit, Berati me fikun e Rroshnikut, Gjirokastra me lajthinë visoke, Durrësi me verën e Sheshit të Zi, Vlora me karamal dhe kripën e Nartës, Përmeti me shurup trëndafili, Korca me specin djegës, Saranda me portokallin e Borshit, Shkodra me boronicën e Malësisë së Madhe dhe Dibra me kumbullën e Shumbatit. Këto pralina kombinohen në kuti të ndryshme :1. Kutia Klasike me 9 pralina, 2. Kutia e Stinëve (vera, vjeshta, dimri dhe së shpejti kutia e pranverës) me 16 pralina dhe 3. Kutia Premium më 20 pralina.

A mendoni se duke përfshirë Shqipërinë në një kuti çokollate do ju garantonte sukses dhe do arrinit të dominonit në treg?
Në këtë botë dinamike ku jetojmë asgjë nuk të garanton sukses, duhet çdo ditë punë dhe ide të reja. Duhet të konsolidohemi me produktet që kemi dhe të rrisim kapacitetet dhe më pas të krijojmë ide të reja që t’i përshtatemi kërkesave gjithmonë në rritje të tregut si në cilësi dhe në sasi.
Sa e vështirë është të prodhosh një produkt vendas, si ishte rrugëtimi për ju për të arritur deri këtu?
Është shumë e vështirë, sepse prodhuesit tanë janë të vegjël, nuk të premtojnë gjithmonë stok dhe produktet janë sezonale. Pra, do duhet të parashikojmë mirë volumin që ta garantojmë stokun dhe të kemi kushte ruajtje që të mos pengohet prodhimi.

Me kë bashkëpunoni për prodhimet bio që mundësojnë çokollatën unike ?
Me prodhues të vegjël nga e gjithë Shqipëria. Çdo produkt është lokal dhe nga prodhues të vegjël. Kështu i ndihmojmë dhe ekonomitë e tyre.
Edhe dizajni i kutive të cokollatave lidhen me destinacione shqiptare. A mund të flasim për një klientelë që drejtohet drejt produkteve autentike , si duket qasja deri tani ?
Produkti ka si target kryesor turistët e huaj që vijnë në Shqipëri. Ne sa herë udhëtojmë jashtë sjellim një çokollatë të atij vendi ku shkojmë. Edhe Shqipëria si destinacion turistik në rritje duhet të ketë çokollatën e saj përfaqësuese.
Edhe njerëzit tanë që jetojnë jashtë kur vijnë në Shqipëri kanë dëshirë të marrin më vete produkte shqiptare, por edhe ne kur udhëtojmë tek miqtë duam ti japim dhuratë nga Shqipëria.
Kurse në tregun e brendshëm synojmë një klientelë që do produktin cilësor pa shumë sheqer e konservantë. Importimi i çokollatës më cilësore, belge dhe italiane dhe kombinimi me produktet vendase është ajo që ne ofrojmë.

Kontakt
ChocoAlb
Rr. Tish Dahia, Kompleksi Kika 2, Shk. 8, Ap.11
Tirana, Albania
Tel 0694016160
info@chocoalb.al
www.chocoalb.al












