Periudha e festave të fundvitit ose ajo së cilës njëzëri i referohemi si “periudha më e bukur e vitit” mund të mos jetë dhe aq “e bukur” për të gjithë njerëzit parë nga këndvështrimi psikologjik.
Ndoshta e keni të vështirë të besoni se njerëzit mund të përjetojnë një miks ndjesish negative si trishtimi, frustrimi apo stresi ndërkohë që në sfond luhet muzikë e gëzueshme Krishtlindjesh, qytetet janë dekoruar me drita vezulluese dhe “magjia” e festave supozohet të pushtojë shpirtin e gjithësecilit prej nesh! Po nëse kjo “magji” është në fakt një bindje e pashëndetshme që na është rrënjosur sipas së cilës gjatë festave të gjithë duhet të jemi të lumtur dhe nuk lejohet përjetimi i emocioneve negative të cilat pavarësisht se janë negative, mbeten njerëzore?
Pikërisht kjo bindje, ky presion që rëndon mbi ne sipas të cilit jemi të detyruar të ndihemi doemos të lumtur gjatë kësaj periudhe ironikisht mund të ndikojë në mënyrë negative tek gjendja jonë emocionale.
Në një studim të kryer nga APA (American Psychological Association), 38% e pjesëmarrësve të studimit raportuan se gjatë sezonit të festave përjetonin rritje të nivelit të stresit gjë që mund të shkaktojë probleme të shëndetit fizik, depresion, ankth apo abuzim me substancat. Arsyeja? Presioni për të shpenzuar për blerjen e dhuratave pavarësisht mundësive financiare si dhe darkat e mbipopulluara nga familjarë me të cilët jo domosdoshmerisht kemi marrëdhënie të shëndetshme apo funksionale. Kjo është e mjaftueshmë për të zhdukur “si me magji” atë “magjinë” e festave dhe për t’a zëvëndësuar me rraskapitje fizike dhe mendore.
Thënë kjo, askush nuk e mohon frymën shpresëdhënëse të festave të fundvitit: është koha e pushimeve nga puna dhe shkolla, koha për të qënë mirënjohës, për të qëndruar pranë njerëzve më të dashur dhe për t’u dëfryer me ta si dhe për të reflektuar për vitin e kaluar… Dhe nuk ka asgjë që nuk shkon këtu! Problemi nis kur detyroheni nga të tjerët apo e detyroni veten të shfaqeni të lumtur për hir të atmosferës festive kur në fakt lumturia nuk është reflektim i gjendjes suaj të vërtet emocionale.
Nëse normalizojmë përjetimin e emocioneve negative gjatë periudhës së festave, më shumë njerëz do ndihen të kuptuar dhe të pranuar dhe a nuk është pikërisht ky misioni i kësaj periudhe “magjike”? Që të përpiqemi të dhurojmë mirëkuptim dhe paqe shpirtërore, që t’i qëndrojmë pranë dhe t’i ngushëllojmë njerëzit kur nuk janë në më të mirën e tyre, që t’ia lehtësojmë sadopak dhimbjen, që të jemi EMPATIK?
Nuk ka asgjë që nuk shkon me ju nëse përjetoni stres apo lodhje fizike dhe mendore gjatë një periudhe që padyshim shoqërohet me mbingarkesë ndaj mos u ndjeni në faj nëse nuk jeni 100% të lumtur gjatë festave dhe mos i lejoni të tjerët t’ju bëjnë të ndiheni në faj nën pretekstin e “magjisë së periudhës më të bukur të vitit”.
Gëzuar festat!
Autorja: Ilva Mile, Psikologe Klinike diplomuar në UT.
Ju ftojmë të ndiqni psikologen Ilva Mile në Instagram @yourtherapist.al për këshilla të vazhdueshme rreth shëndetit mendor.